Server: “Ndërkombëtarët hipokritë, të ndihmojnë Kosovën me Veriun”
Blerina Olldashi
Komuniteti ndërkombëtar po shfaq një sjellje hipokrite dhe të pasinqertë ndaj veriut të Kosovës, të cilin e kontrollon Beogradi, duke mos shprehur as më të voglin vullnet politik që ky kontroll të kundërshtohet. Kështu është shprehur Drejtori i Institutit Amerikan të Paqes Daniel Server, gjatë një interviste për mediat, duke akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë zyrtarët ndërkombëtarë. Sipas Server, as Brukseli, As Uashingtoni nuk kanë shprehur asnjë vullnet politik, që Serbia të mos ketë më në kontroll tri komunat më të mëdha në veri të Kosovës, kryesisht Preshevën. “As Uashingtoni, as Brukseli nuk duan të bëjnë çfarëdo përpjekje për të mundësuar që Prishtina të marrë kontrollin mbi tri komuna e gjysmë të veriut. Ata pretendojnë se nëse lejojnë që gjërat të ecin kështu siç po ecin, gjë që në të vërtetë de fakto është ndarje, mund të jetohet në normalitet”. “Për të qenë ferr, - thotë Server, duhet pranuar se në këtë drejtim nuk gabojnë, sepse me këtë gjendje po jetohet prej nëntë vitesh. Arsyeja e tyre është se Kosova tani është shtet i pavarur dhe nëse është e pakënaqur me situatën e tanishme, mund të ulet e të bisedojë me Serbinë”, thotë Server. Sipas ekspertit amerikan ndarja e Kosovës nuk është më temë tabu, por duhet kuptuar se pala kosovare për tri komunat veriore do të kërkonte Preshevën, me çka Beogradi nuk pajtohet. Ai thekson se nuk sheh asnjë problem nëse Serbia dhe Kosova si dy shtete sovrane, ulen të bisedojnë. “Shtetet sovrane mund të diskutojnë edhe për çështjet e shkëmbimit të territorit nëse dëshirojnë”, tha Server. Sipas tij kjo nuk është më tabu, sepse Kosova tani është shtet i pavarur dhe shteti i pavarur ka të drejtë të bëjë atë që dëshiron të bëjë. Megjithatë, kjo sipas Server nuk do të thotë se pala kosovare nënkupton shprehjen: “po, merreni veriun!”. Kosova shprehet ai duhet të kërkojë si kompensim Preshevën, gjë që sërish pala serbe nuk do të pranonte. “Mbase edhe mund të ndodhë që të bëhet njëfarë shkëmbimi i mendimeve për këtë gjendje, por nuk besoj se mund të arrihet çfarëdo marrëveshjeje”, theksoi Server. Duke folur për sfidat dhe perspektivat e Ballkanit, Server ka vlerësuar se gjërat në Kosovë kanë shkuar relativisht mirë, në kuptimin që nuk janë vërtetuar parashikimet më të këqija. “Por, veriun e Kosovës e kontrollon Beogradi dhe nuk hetohet vullnet politik i bashkësisë ndërkombëtare që t’i kundërvihet një fenomeni të tillë, që e konsideroj si problem të madh”, ka thënë ai.
8 Janar 2010