E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç në Deçan, Prishtina revoltohet: Shkeli kushtin!

Presidenca e Kosovës konsideron se presidenti serb, Boris Tadiç, gjatë qëndrimit në Kosovë, shkeli kushtin për të mos dhënë deklarata politike, por vetëm të karakterit fetar. Tadiç ka marrë pjesë në ceremoninë e Krishtlindjes Ortodokse në Manastirin e Deçanit, nga ku është larguar dje pasdite për në Beograd. I pyetur nëse e sheh integrimin e Kosovës në BE si shtet të vetëm apo bashkë me Serbinë, Tadiç ka thënë: “Nuk do të doja të shihja vetëm Serbinë, që do të thotë dhe Kosovën, në BE, por gjithë vendet e rajonit”. Kjo deklaratë, sipas zëdhënësit të presidentit Xhavit Beqiri, tregon se Beogradi nuk heq dorë nga qëndrimi i vjetër ndaj Kosovës. “Edhe në deklaratat e dy ditëve më parë, presidenti Tadiç, sado që mundohej të ishte pak më i moderuar, nuk mundi të qëndronte pa theksuar se Kosova është pjesë e Serbisë, ndonëse edhe vetë e di se ai ka qenë në një shtet tjetër, ka qenë në Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur”. Ndërkohë opozita ka kritikuar vendimin e institucioneve për lejimin e vizitës së Tadiçit. Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, thotë se nuk mund të pritet nga një president i një shteti, të mos bëjë deklarata politike. “Presidenti i Serbisë nuk është patriark, ai është president, politikan i zgjedhur me vota të popullit në Serbi dhe ai nuk mund të ketë vizitë vetëm fetare në Kosovë. Është një palaçollëk politik i institucioneve të Kosovës”.

8 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›