E Shtunë, 31 Tetor 2026

Servet Pëllumbi 75 vjec, Rama lule ‘Profesorit’, urime dhe nga Topalli

TIRANË- Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, një prej figurave të spikatura të socialistëve, Servet Pëllumbi festoi sot 75 vjetorin e tij.

Partia ku ka bërë pjesë me vite “Profesori”, me këtë term njihet nga socialistët Servet Pëllumb, i ka dhuruar sot një festë surprizë.
Ka qenë Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama që i ka dhuruar tufën me lule në këtë festë ku merrnin pjesë shumë miq dhe të afërm të familjes politike dhe biologjike të Profesorit.
Teksa si në çdo ditëlindje Pëllumbi do të priste tortën në të cilën shkruhej “Gëzuar ditëlindjen Profesor”, vetë ai u shpreh: “Ju falenderoj të gjithëve, Kryetarin e PS, Kryesinë e PS, për këtë festë të shkëlqyer në këtë 75 vjetor të ditëlindjes sime. Uroj me gjithë zemër fitoren e PS në zgjedhjet e ardhshme. E kam uruar gjithmonë fitoren e PS dhe do ta bëj gjithmonë, sa të kem jetë”, bën të ditur zyra e shtypit të PS.

Urimi i Topallit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i uroi sot ditëlindjen ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi.

Duke vlerësuar rolin dhe kontributin që z.Pëllumbi ka dhënë në Parlamentin shqiptar, ajo i uroi jetë të gjatë e të lumtur ish-kryeparlamentarit me përcjelljen e urimeve më të sinqerta.

lindur më 14 dhjetor 1936 në Korçë, Servet Pëllumbi njihet si një prej figurave që ka luajtur rol kryesor në zhvillimet politike të vendit që prej fillimeve të tranzicionit. Ai ka patur një karrierë të gjatë politike në Partinë Socialiste dhe Kuvendin e Shqipërisë.
Pëllumbi është padyshim jo vetëm politikan dhe intelektual i njohur me kontribute brenda vendit dhe përtej tij, por njëherësh është, dhe me siguri do të mbesë nga filozofët më të mirë të plejadës së tij, një “gur themeli” i historisë së mendimit filozofik dhe sociologjik shqiptar.

Servet Pëllumbi është dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

(danielabonollari/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›