E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, copëtohet “Kateri i Radës”, nis ndërtimi i monumentit

OTRANTO - Nis copëtimi i anijes shqiptare ‘Kateri i Radës’, për ndërtimin e monumentit në kujtim të viktimave të Otrantos. Sipas faqes online “shqiptari i italise.com”, mbrëmjen e djeshme është shkëputur pjesa e sipërme e anijes “Kateri i Radës”, që do të përdoret për veprën e artit në Otranto, e ideuar nga skulptori grek Costas Varotsos.

Monumenti në kujtm të 81 viktimave të tragjedisë së 28 marsit 1997 pritet të inaugurohet më 29 dhjetor. Sipas nënkryetarit të bashkisë së Otrantos, Francesco Vetruccio, ky monument do të kushtojë 150 mijë euro, përveç kostos vjetore të mirëmbajtjes, ndaj edhe qytetarët e Otrantos nuk kanë qenë të gjithë dakord me ngritjen e tij në qytetin e tyre.

Në udhëtimin e tij 14-vjecar mes gjyqeve dhe një hap larg shkatërrimit, "Kateri i Radës" më në fund pritet të mbërrijë në stacionin e fundit. Vepra do të vendoset në hyrje të Portit të Otrantos, pranë plazhit, përballë brigjeve shqiptare.

Familjarët e viktimave kërkojnë kthimin e anijes në Vlorë
Familjarët e 81 personave që më 28 mars të vitit 1997 humbën jetën në ujërat e detit Jon, kërkojnë që relikja e ‘Katerit të Radës’, të vendoset në Shqipëri.

Familjarët e tregjedisë së Otrantos akuzojnë autoritetet shqiptare se nuk mbajtën fjalën për të ngritur një monument në nder të tyre.

Në tragjedinë e 28 marsit të vitit 1997, gjatë udhëtimit për në Itali me anijen “Kateri i Radës” me 115 persona në bord, si pasojë e përplasjes me anijen ushtarake italiane “Sibila”, u mbytën 81 persona, mes të cilëve 46 gra dhe fëmijë. Prej tyre, 57 trupa u kthyen, ndërkohë që 24 rezultojnë të zhdukur dhe 34 të mbijetuar.

Po kush ishte fajtori, sekondat e fundit para perplasjes jane ende te erreta. E vërteta, e vetme që dihet është se anija shqiptare me shumë gra e fëmijë në bord u mbyt. U shënuan 81 viktima.
(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: Foto të anijes

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›