Pranga shqiptarit, blinte ruse dhe i shfrytëzonte
Itali- Policia italiane ka vënë në pranga një shtetas shqiptar, i cili blinte gra ruse e më pas i shfrytëzonte nëpër rrugë për qëllime përfitimi. Lajmi është bërë publik nga mediat italiane, sipas të cilave i arrestuari quhet Mirdash Ndreu, 32-vjeç.
“Mbi këtë shtetas rëndon akzua e sekuestrimit të personit për shfrytëzim prostitucioni, kërcënim dhe dëmtime ndaj dy grave ruse, njëra 40 dhe tjetra 30 vjeçe”- thonë mediat italiane, duke iu referuar policisë lokale.
Policia arriti të zbulonte zonën ku ndodheshin dy gratë ruse pas disa kohë vëzhgimesh dhe pas njoftimit që kishte marrë se ato ishin të detyruara me forcë të prostituonin. Shfrytëzuesi i fundit, sipas policisë ishte pikërisht Ndreu. Mësohet se ai i kishte blerë gratë për rreth 3 mijë euro.
Nga hetimet doli se gratë ishin shfrytëzuar edhe më parë për të njëjtin qëllim. Hetimet vijojnë, ndërkohë që shqiptari është shoqëruar në burg, në pritje të seancës gjyqësore në ngarkim të tij.