Shkodër, banorët e Hajmelit, 15 vjet pa ujë
Shkodër- Prej 15 vitesh banorët e fshatit Hajmel të komunës me të njëjtin emër kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Sipas tyre, që nga viti 1993, ujësjellësi që furnizonte këtë fshat është jashtë funksionit, ndërkohë që ata torturohen në gjetjen e ujit të pijshëm.
“Nuk dimë t'ju themi se sa heqim për të gjetur ujë. Endemi me orë deri në një burim të afërt, kjo nuk është jetë”- thotë Prenga, një nga banorët e fshatit. Si ai, edhe gjithë të tjerët, duke përfshirë edhe fëmijët, tashmë të angazhuar në këtë detyrë familjare.
Për rehabilitim e ujësjellësit, mësohet se nga komuna ka një projekt, por mungojnë fondet. Sipas zyrtarëve të komunës Hajmel, fondet e dhëna për këtë komunë janë shumë të pakta dhe kështu investimet janë të pamundura.
Përveç ujësjellësit të Hajmelit, i cili është me rëndësi jetike për rreth 1000 banorët e këtij fshati, problem shqetësues që kërkon zgjidhje sa më të shpejtë është dhe shtrimi i 7 km rrugë automobilistike që lidh qendrën e komunës dhe të fshatrave të tjerë të saj me rrugën automobilistike nacionale.
Edhe për këtë projekti është i hartuar por si në rastin e parë nuk ka para. Komuna e Hajmelit është një komunë me rreth 6000 banorë dhe mjaft e varfër. Këtë vit të ardhurat e grumbulluara nga taksa e tokës janë ritur me 50% , dhe arrijnë deri në 300.000 lekë të reja, por kjo është e pamjaftueshme për të ndërhyrë në investime të mëdha për të cilat ka nevojë komuniteti.
Banorët e komunës së Hajmelit kanë probleme dhe me furnizimin me energji elektrike. Sipas tyre, ndërprerjet e energjisë elektrike shkojnë deri në 8 orë në ditë, ndërsa dhe kur ajo vjen është me tension shumë të ulët dhe asnjë pajisje elektrike nuk punon.