Velipojë, mbytet në det vajza 11-vjeçe
Velipojë- Një vajzë 11-vjeçe është mbytur pak minuta më parë në plazhin e Velipojës, teksa ka qenë duke u larë në det. Sipas burimeve nga policia lokale mësohet se fëmija ka qenë me familjen si pushuese rezidenciale në këtë zonë.
“Vajza me inicialet S.B kishte hyrë në det për t’u larë, por për një moment është zhytur dhe ka pirë shumë ujë, që ka shkaktuar edhe mbytjen e saj”- thonë burimet e policisë.
Familjarët, banorë në lagjen “Manush Alimani” të Shkodrës e kanë parë dhe kanë rendur me vrap ta ndihmojnë, por çdo përpjekje ka rezultuar e kotë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, vajza ka dalë pa shenja jete. Edhe pas përpjekjeve të para për t’i dhënë frymëmarrje artificiale asnjë gjë nuk ka ndryshuar.
Vajza më pas është transportuar për në morgun e qytetit. Ndërkohë pushuesit në këtë plazh, qoftë ditorë apo edhe ata që rrinë me ditë të tëra ankohen për mungesën e grupeve të shpëtimit në gjithë gjatësinë e plazhit. “Nuk ka as roje bregdetare dhe asnjë mjet shpëtimi, kjo nuk është normale”- thonë pushuesit.
Vetëm një javë më parë ishte në qarkullim një skaf policie, por edhe ai vetëm për pak kohë e më pas u “zhduk”. Ndërkohë që në këtë plazh janë shënuar vazhdimisht viktima, të moshave të ndryshme, pikërisht nga mbytja në ujë dhe mungesa e ndihmës së shpejtë që të mund t’i shpëtonte.