E Shtunë, 31 Tetor 2026

E përplas makina, rëndë 76-vjeçari

Vlorë- Një 76-vjeçar rrezikon seriozisht jetën si pasojë e një aksidenti. Ngjarja ka ndodhur pranë Akademisë së Marinës, në Vlorë, vetëm pak metra larg postobllokut që kishte ngritur policia, ku efektivë të kësaj të fundit po ndihmonin në disiplinimin e qarkullimit.

I moshuari, ka qenë duke kaluar rrugën, teksa një automjet ford me targa Vl 5941 A që vinte nga Uji i Ftohtë e ka përplasur atë me forcë në tokë. Menjëherë policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, si dhe ka rrethuar vendin ku ndodhi aksidenti.

Një nga shkaqet sipas të dhënave të para të bluve është shpejtësia me të cilën lëvizte mjeti, shkaqe që gjithsesi do të vërtetohen pas shqyrtimit të provave.

Prania e efektiveve të policisë ka mundësuar ndërhyrjen e menjehershme të efektivëve të grupit të gatshëm për të dërguar të plagosurin me urgjencë atë drejt spitalit rajonal.

Sipas policisë i aksidentuari është 76-vjeçari, Izet Berberi nga Sheqi i Fierit. Mjekë të spitalit rajonal te Vlores pohojnë se i moshuari ka marrë goditje në pjesën e kokës të cilat e bëjnë të rëndë gjendjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›