Serwer: Serbia jo në BE pa zgjidhur çëshjen e Kosovës
Amerika e dëshiron Serbinë në Bashkimin Europian sa më parë që të jetë e mundur, por Serbia nuk ka gjasa të arrijë diçka të tillë nëse nuk e zgjidh shumë shpejt çështjen e Kosovës, dhe nuk i fillon menjëherë bisedimet me Prishtinën, ka vlerësuar analisti i shquar amerikan Daniel Serwer. Analisti nga Instituti për Paqe, me qendër në Washington, ka thënë se bisedimet për statusin e Kosovës nuk janë të mundura për shkak se shqiptarët nuk pajtohen me një gjë të tillë, ndërsa sipas tij SHBA-ja dhe Bashkimi Europian, nuk do t'i detyrojnë ata t'i pranojnë të tilla situata. Serwer, ka thënë për të përditshmen "Blic" se, bisedimet për kufijtë do të mund të zhvilloheshin ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por gjithashtu shtoi se Amerika nuk do të ishte e lumtur me një gjë të tillë pasi kjo, do të mund të destabilizonte Maqedoninë dhe Bosnjën e Hercegovinën. Nga ana tjetër, mediat e ndryshme kanë spekuluar se administrata amerikane planifikon të emërojë Cameron Manterin, ish-ambasadorin e SHBA-së në Beograd, që tashmë punon në Bagdad, si të ngarkuarin amerikan për zgjidhjen e problemeve në Ballkan. Manter është njohës i mirë i situatës në Ballkan, ndërsa dy vjet më parë ishte përshkruar si njeriu që pa pasur ndikimin kryesor në formimin e qeverisë së Serbisë. Një tjetër analist amerikan, Nicholas Gvozdev, ditë më parë ka deklaruar në revistën prestigjioze "Forign Affairs" se statusi i Kosovës dhe kufijtë e saj janë dy çështje të ndryshme, dhe se përderisa për statusin e Kosovës nuk mund të bisedohet, çështja e kufijve të Kosovës, sipas tij, mbetet e hapur.