Sevilja-Slavia, sfida premiere

Sevilja-Slavia (direkt në Vizon Plus) është një duel që mund të vendosë fatet e mëtejshme të dy ekipeve në Grupin H të Ligës së Kampioneve. Ballafaqimi për skuadrën spanjolle do të jetë një sfidë karakteri, pasi një humbje e pestë do të ishte shkatërruese për një nga superklubet e Europës duke vënë në rrezik edhe të ardhmen në Ligën e Kampioneve. Pas humbjes së ndeshjes së parë kundër Arsenalit, Sevilja kërkon të hakmerret ndaj ekipit më të dobët në letër, Slavia e Pragës, që nga ana e saj fitoi me Steauan. Dy javët e fundit u shndërruan në ankth për Seviljen, ku pësuan një sëri rezultatesh negative pas ishin shndërruar në skuadrën më të suksesshme ne botë, në dy vitet e fundit. Pas humbjes 3-0 me Arsenalit 14 ditë më parë, Sevilja e Huande Ramosh pësoi tri humbje rresht në kampionat, për më tepër kundër kundërshtarëve të rëndë si Barcelona, Espanjol dhe Real Saragoza, duke u renditur në vendin e 13-të në kampionatin spanjoll. Kundërshtari nga Cekia, Slavia e Pragës, kryeson kampionatin vendas dhe arriti një fitore spektakolare 7-1 me Zlinin. Klubi nga Praga po përjeton një moment magjik dhe në tentativën e parë të tij në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve dëshiron të kalojnë mes 16 më të mirave të Europës. Slavia eliminoi ish-kampionin e Europës, Ajaskin e Amsterdamit në turin e tretë eliminator dhe fitoi ndeshjen hapëse kundër një tjetër fituesi të Ligës së Kampioneve, Steaua e Bukureshtit dhe ky është sinjali më i mirë për vlerat e skuadrës ceke. Trajneri Ramos do të hedhë në formacionin startues Frederik Kanouten së bashku edhe me Luis Fabianon. Emri spikatës nga Slavia është ai i Tijani Belaid, një nga më të dalluarit e grupit të trajnerit Vladimir Smicer. Francezi me origjinë tuniziane, 20-vjecari Belaid, është huazuar nga Interi, por ai është bërë idhulli i tifozerisë së skuadrës modeste ceke me dy golat e tij të shënuar kundër Steauas.