Revoltohet Sallaku, përçahet Partizani
Presidenti i skuadrës së Partizanit, Lulëzim Sallaku, nuk e ka pritur mirë humbjen e të kuqve në ndeshjen e së shtunës ndaj Butrintit. Ndoshta ishte një ditë e zezë për skuadrën, megjithatë, kush e ndien që nuk është i aftë për këtë skuadër, të largohet përpara se një gjë të tillë ta bëj unë. Kështu është shprehur Sallaku pas ndeshjes me sarandjotët, duke lënë të kuptohet se dikush duhet të largohet nga skuadra, por gjithashtu duke mos përcaktuar asgjë. Dje në mbrëmje, në një prononcim për Panorama Sport, Sallaku ka deklaruar se askush nuk kishte reflektuar për fjalët e tij. Sinqerisht prisja një SMS nga dikush dhe të më thoshte që mbaj përgjegjësi për humbjen, kushdo qoftë ky, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe më ka ardhur shumë keq. Humbëm një ndeshje që duhet ta kishim fituar dhe askush nuk mbajti përgjegjësi. Nuk më erdhi një SMS në telefon as pas ndeshjes, por gjithashtu nuk më ka ardhur asnjë fjalë falënderimi në rastin kur dhashë pjesën time financiare që më takon në shoqëri, që do të thotë pagova rrogat e futbollistëve. Kjo do të thotë që te Partizani nuk ka njerëz që nxihen apo zverdhen, pavarësisht situatave që ndodhin, ka deklaruar Sallaku, i cili nuk preferon të japë komente të shumta në lidhje me këtë situatë.
Financimi Aktualisht Sallaku është president i të kuqve me 60% të aksioneve në pronësi, të cilat i ka blerë nga Albert Xhani. Ai ka pjesën kryesore të financimit në skuadër, pasi ortak i shoqërisë me 40% është edhe Paro Laçi. Unë e kam dhënë pjesën time të financave në shoqëri dhe 70% e lojtarëve kanë marrë rrogat e tyre. Por, me atë paraqitje që ata bënë në fushën e lojës, më duhet të them se nuk e meritojnë më financimin 60%. Në ndeshjen ndaj Butrintit u pa një skuadër që nuk meriton asgjë dhe unë nuk kam për të kontribuar më për këtë ekip, nëse më parë dikush nuk merr përgjegjësitë për atë humbje, ka përfunduar Sallaku.