E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezon i dobët

Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard ka pranuar se ka luajtur nën formën e tij të zakonshme këtë sezon. Gerrard nuk ka arritur të tregojë formën e tij më të mirë këtë edicion, ndërsa paraqitjet e zbehta të tij kanë ndikuar në sezonin dëshpërues të Liverpoolit.

Reds u eliminuan në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, ndërsa asnjëherë nuk u shfaqën konkurrentë për titull në Premierligë. Tani, ekipi i Rafa Benitezit është në garë për pozitën e katërt dhe kualifikim në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Por, Gerrard ka insistuar se ka ende kohë që ai të mundohet t’i rikthehet formës së tij më të mirë. Mesfushori anglez synon të fitojë Europa League me Liverpoolin – ekipi i tij takohet me Benfican në çerekfinale – e pastaj të ndjekë suksesin në Kampionatin botëror në Afrikën e Jugut.

“Mendoj se mund të jetë më mirë. Nëse shikoni formën time gjatë sezonit në përgjithësi, nuk jam i kënaqur. Nuk jam paraqitur në shkallën të cilën kam dëshiruar”, tha ai për Sky Sports News.

“Por, nuk më brengos, sepse ende kam besim se mund të bëj kthesë në çdo kohë. Jam kritiku më i madh i vetvetes. E njoh veten kur gjërat shkojnë mirë dhe kur duhet të përmirësohem, ndërsa sfida ime për ndeshjet e mbetura është të avancoj dhe udhëheq Liverpoolin drejt pozitës së katërt, të mundohemi të arrijmë në finale të Europa League dhe të shkoj në Kampionatin botëror”, shtoi ai.

Gerrard, tani zëvendës-kapiten i Anglisë, beson se ekipi i Fabio Capellos do të udhëtojë në Afrikën e Jugut si kandidat i fuqishëm për Kampionatin botëror, por pranon se ata duhet të përmirësohen për të fituar trofeun e parë nga viti 1966.

“Koha do të tregojë; jemi në gjendje të mirë, jemi duke fituar dhe besimi është i madh, por duhet të shënojmë përmirësime nëse duam të shkojmë deri në fund. Na nevojitet fati të mbajmë futbollistët në formë të mirë fizike për Kampionatin botëror. Mund të ndodhë gjithçka. Besoj se me Capellon selektor mund të mësojmë shumë nga njëri-tjetri. Shpresoj të jemi në formë të mirë për fillimin e garës dhe të kalojmë nga grupi. Kjo është sfida e parë”, përfundoi Gerrard.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›