E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidë për të vlerësuar pretendentët

Gjermani – Portugali

Kristiano Ronaldo, problemi kryesor për gjermanët e Joakim Lëvit, nuk dihen ende kush do ta mbulojë atë. Ndërkohë, luzitanët do të kërkojnë të pastrojnë imazhin e miqësoreve

Ata thonë se bastexhinjtë nuk gabojnë. Gjithsesi askush nuk e kishte menduar se Gjermania do të fitonte 10 nga 10 ndeshjet e zhvilluara, pavarësisht koeficientit që e rendiste mes pretendentëve. Një koeficient të tillë ka pasur skuadra gjermane edhe në Botërorin 2010, të cilin e mbyllën në vendin e tretë, ndërsa kampione u shpall Spanja, me një koeficient më të lartë.

Gjithsesi, si çdo prag evenimenti, Gjermania ka një koeficient të ulët, pasi konsiderohet pretendente. Skuadra e drejtuar nga Joakim Lëv vazhdon të vendosë rekorde me sukseset e saj dhe me të tillë e fillon europianin. Të shlodhur dhe të relaksuar e kanë filluar këtë periudhë prageuropiani.

E nisën me vizitën në Montekarlo, ku ndoqën garën e Çmimit të Madh të Formulës 1 në Principatë, më pas u ftuan për një drekë nga kancelarja Angela Merkel dhe tani gjithçka duket gati. Për momentin Joakim Lëv duket se e ka humbur sensin e humorit për gjestin e Zherom Boatengut, i cili është kapur me një modele deri në orët e para të mëngjesit fundjavën e shkuar.

Kjo sjellje u vlerësua si një shkelje premtimi, aq më tepër në prag të një ndeshje të rëndësishme si kjo me Portugalinë. Prangndeshja Në pankinën e skuadrës së Lëvit ndodhen emra si Mario Gëtze, Marko Reus dhe Andre Shurle. Nga ana tjetër, skuadra portugeze udhëhiqet nga ylli i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, një lojtar që vlen 100 milionë euro.

Do të jetë pikërisht ky emër, që do t’i sjellë probleme të mëdha në krah panzerave dhe emri i gjermanit, që do të ruajë portugezin ende nuk bëhet publik, së bashku me mënyrën se si do të luajnë të besuarit e Lëvit. Në këtë sezon Gjermania është mundur në dy ndeshje miqësore, me Francën dhe Zvicrën, ndërsa skuadra e Paulo Bentos kanë regjistruar dy barazime pa gola në dy ndeshjet e fundit, me Poloninë dhe Maqedoninë, përpara humbjes 3-1 me Turqinë. Kjo e fundit është një skuadër, e cila është mundur dy herë nga Gjermania në ndeshjet miqësore parapërgatitore për Europianin. Lojtari i krahut të Mançester Junajtid, Nani do të jetë vendimtar në këtë ndeshje dhe në këtë eveniment, duke qenë se në Botërorin e 2010-s mungoi. Bruno Alvesh, nga ana tjetër, bën të ditur se Portugalia ka një nga mbrojtjet më të mira të Europianit. Ata kanë humbur disi terren në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s dhe zbritën në vendin e 10-të. Një gjë është e sigurtë, Kristiano Ronaldo me 62 golat e tij sezonal, do të ndezë dhe do të frikësojë këdo në Ukrainë dhe Poloni.

 

Gjermani – Portugali (20:45)

Gjermania: Nojer, Zh.Boateng, Mertesaker, Badshtuber, Lahm, Khedira, Shvajnshtaiger, Myler, Ozil, Podolski, Klose

Portugalia: Patrisio, Pereira, Pepe, B.Alvesh, Koentrao, Veloso, R.Meireles, Zh.Mutinjo

Nani, Ronaldo, Postiga

Përballjet direkte

Të dyja këto skuadra janë përballur 17 herë. Nga këto përballje Gjermania është skuadra që mban edhe rekordin me 8 fitore, ndërkohë 5 ndeshje kanë përfunduar në barazim dhe 3 ndeshje i ka fituar Portugalia.

Në tri ndeshjet e fundit që janë përballur në një kampionat europian, secila skuadër ka arritur të sigurojë nga një fitore, ndërkohë që një ndeshje ka përfunduar në barazim. Gjermania ka një avantazh të lehtë, pasi në fazën finale të këtij turneu kur janë përballur ka dy fitore, një barazim dhe një humbje.

Përballja e parë e këtyre dy përfaqësueseve është më 27 shkurt të vitit 1936 në Lisbonë, Gjermania fitoi 3-1. Portugalia ka humbur katër nga pesë ndeshjet e para që kanë zhvilluar, duke e thyer serinë e ndeshjeve negative përballë Gjermanisë Perëndimore më 23 shkurt të vitit 1983, me Diton, i cili i dha fitoren skuadrës së tij përfaqësuese, pavarësisht rezultatit minimal 1-0, ndeshje kjo që u zhvillua në Lisbonë.

Portugalia ka zhvilluar gjithashtu tre ndeshje përballë Gjermanisë Lindore, përpara se Gjermania të bashkohej. Nga këto ka fituar dy ndeshje dhe ka humbur një.

Shifra dhe fakte

Gjermania

Gjermania ka fituar 2 nga 5 ndeshjet miqësore që ka zhvilluar pas përfundimit të ndeshjeve kualifikuese. Nga tre të mbeturat ka humbur dy dhe ka barazuar një në këtë sezon 2012.

Kjo ndeshje e sotme për Joakim Lëv është e 80-ta si trajneri i përfaqësueses së Gjermanisë dhe e rendit atë pas Berti Vogs me 102 ndeshje, Helmut Shën me 139 ndeshje dhe Sep Herberger me 167 ndeshje, trajneri më jetëgjatë në pankinën e përfaqësueses, Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermanisë. Ai ka fituar 53 ndeshje dhe ka humbur 12.

Lukas Podolski nëse do të aktivizohet në ndeshjen me Portugalinë do ta çojë në 98 numrin e ndeshjeve me fanellën e kombëtares, shifër që do ta barazojë atë me Mikael Balak në vendin e shtatë në klasifikimin e lojtarëve, që kanë luajtur më shumë me kombëtaren.

Portieri Ron-Robert Zieler de Tim Viese ende nuk kanë luajtur asnjë ndeshje zyrtare me përfaqësuesen gjermane.

Portugalia

Portugalia ka zhvilluar tri ndeshjet e fundit të 2012-s dhe nuk ka asnjë fitore. Dy prej tyre i ka përfunduar në barazim 0-0 dhe njërën e ka humbur 3-1 përballë Turqisë më 2 qershor.

Tre nga pesë ndershjet e fundit që ka zhvilluar përfaqësuesja portugeze mes tyre zyrtare dhe miqësore kanë përfunduar pa gola.

Migel Lopez dhe Kustodio ende nuk kanë zhvilluar një ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Portugalisë, por kanë arritur të fitojnë një vend për të qenë pjesë e grupit në ndeshjen miqësore me Turqinë, të zhvilluar më 2 qershor të këtij viti.

A e dini se?

Gjermania dhe Spanja janë dy përfaqësueset e vetme, që kanë arritur të marrin maksimumin e pikëve nga faza kualifikuese të këtij kampionati europian. Gjermania deri në këtë fazë ka zhvilluar 10 ndeshje, ndërsa Spanja 8.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›