Sezoni më i keq

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney ka pranuar se është duke kaluar sezonin më të keq në karrierën e tij.
Rooney shënoi 40 gola në 50 ndeshje për klubin dhe Kombëtaren angleze gjatë sezonit 2009-10, por pas një vere të dobët në Kampionatin botëror, lëndimet, negociatat e vështira rreth kontratës së re dhe skandalit rreth jetës së tij private të publikuar nga tabloidet, ai ka vuajtur të rikthehet në formën e tij më të mirë.
Sulmuesi luajti rol të rëndësishëm në fitoren 4-0 ndaj Wigan Athleticut, të shtunën dhe thotë se tani mund të ketë ndikim të madh në vazhdim të sezonit.
“Më duhet të them se ka qenë një sezon i vështirë për mua, ndoshta më i keqi që kam pasur ndonjëherë”, tha Rooney për The News of the World.
“Atë javë kur kërkova të largohem nga klubi ishte diçka që nuk dua të përjetoj përsëri, por ndjej se kam bërë vendimin e duhur të mbetem, sepse klubi gjithmonë do të luftojë për tituj. Kam pësuar lëndime të shpeshta dhe kam munguar në disa ndeshje, andaj nuk ndjeja se jam duke dhënë kontributin tim. Por, e mira është se tani ndihem i freskët në kohën kur shumica e futbollistëve pësojnë lëndime ose janë të lodhur. Vërtet dua të filloj prej këtu dhe të kem ndikim të madh në shumicën e ndeshjeve të rëndësishme të sezonit”, shtoi ai.
Rooney shënoi gol të shkëlqyeshëm me gërshërë dhe siguroi fitoren 2-1 ndaj rivalit të qytetit, Manchester City, dy javë më parë dhe thotë se ky gol mund t’i ndihmojë t’ia kthejë vetëbesimin që i kishte munguar.
“Golin kundër Cityt e kam shikuar disa herë dhe kurrë nuk më bëhet bajat. Kjo është koha kur ne vërtet duhet të luftojmë. E duam titullin. Ishte vështirë ta humbim nga Chelsea”, theksoi ai.
Manchester United udhëton në Chelsea të martën, ku nuk kanë fituar për gati nëntë vite dhe Rooney shpreson t’i japë fund këtij rekordi negativ, duke shuar ambiciet për titull të kampionit në fuqi.
“Kemi rekord të tmerrshëm në Stamford Bridge, në fakt nuk e di nëse kam fituar ndonjëherë atje gjatë karrierës time. Kam kujtime të këqija prej atje, duke përfshirë lëndimin e rëndë para Kampionatit botëror 2006. Jam paksa i befasuar që janë aq prapa nesh në ligë dhe do t’ua vështirësonim gjërat duke i mposhtur, por edhe ata do të mendojnë për të njëjtën gjë, sepse do të ketë rol të madh rreth titullit”, përfundoi Rooney.