Lojë me trajnerë
Ndërrimi i trajnerëve është bërë modë në futbollin kosovar. Vetëm në pjesën e parë të këtij sezoni, rreth 10 trajnerë janë larguar nga klubet përkatëse, qoftë duke u shkarkuar apo edhe duke dhënë dorëheqje.
Rasti i fundit ka ndodhur të shtunën, ende pa filluar pjesa e dytë e kampionatit. Pas një mosmarrëveshjeje me udhëheqësit e klubit, Arbnor Morina është larguar nga Hysi, për t’ia lëshuar vendin trajnerit Genc Hoxha. Arsyet për këto ‘pazare’ me trajnerë janë të ndryshme.
Trajnerët kosovarë mendojnë se këto ndryshime vijnë si rezultat i ambicieve joreale që i vënë para sezonit udhëheqësit e klubeve. Sipas tyre, pas çdo dështimi, i pari që e pëson në Kosovë është trajneri, që jo gjithmonë ndodh në vendet e tjera.
“Në përgjithësi, udhëheqësit e klubeve nuk kanë durim në futbollin e Kosovës. Ka raste kur ata i largojnë trajnerët pas vetëm 1 ose 2 humbjeve. Këta njerëz kanë ambicie joreale. Trajnerët kosovarë nuk kanë kushte për punë, nuk ka fusha ndihmëse, stadiumet nuk janë kushedi se në çfarë gjendje, nuk ka investime të sigurta. Kështu që, nuk mund të presësh më shumë nga trajnerët”, theksoi trajneri i njohur kosovar, Hysni Maxhuni.
Sipas tij, nuk ka kurrfarë dobie që të ndërrohen aq shpesh trajnerët. Veterani i futbollit përmend një problem të rëndësishëm, atë të kontratave, në të cilat nuk përmenden disa kushte.
“Për shembull, në futbollin evropian, nëse shkarkohet trajneri, merr dëmshpërblim. Për këtë, udhëheqësit e klubeve do të bënin më rrallë ndryshime në këtë aspekt. Tek e fundit, trajnerët kanë emër dhe karrierë, andaj nuk duhet bërë shaka me ta”, vazhdoi ai.
Maxhuni mendon se edhe në pranverë mund të ndodhin ndryshime të trajnerëve, të cilën e konsideron si fatkeqësi. “Si mund ta udhëheqësh një ekip për 2-3 muajt e mbetur të sezonit? Këtë detyrë e pranojnë trajnerët vetëm për shkak të problemit social që ekziston në Kosovë”, nënvizoi Maxhuni.
Njëjtë mendon edhe strategu Afrim Tovërlani, i cili në vjeshtë e udhëhoqi Trepçën ’89. Trajneri prishtinas përmend ambiciet joreale që i vendosin udhëheqësit e klubeve para fillimit të sezonit.
“Nëse nuk arrijnë rezultatet në xhirot e para, fillon të vërehet dukshëm prishja e atmosferës. Vonohen pagesat, zyrtarët e klubeve iu ikin përgjegjësive, fillojnë përçarjet brenda një ekipi etj. Me këtë rast, trajnerët gjenden në pozita të palakmueshme”, deklaroi Tovërlani, i cili nuk i lë pa faj as trajnerët.
“Faji është i përbashkët, sepse ata i pranojnë ambiciet që i vendos klubi në fillim të sezonit. Me folë është lehtë, por të japësh dorëheqje dhe të mos e presësh shkarkimin, kjo është burrëri”, vijoi ish-trajneri i Prishtinës.
Tovërlani mendon se trajnerët janë më të pambrojturit në futbollin kosovar. Ai vlerëson se kontratat që i nënshkruajnë trajnerët duhet të jenë të mbrojtura, në mënyrë që udhëheqësit e klubeve të mos kenë mundësi të sillen në mënyra jo të duhura me trajnerët.
Vetëm sezonin e kaluar, mbi 25 trajnerë ishin ndarë (shkarkim-dorëheqje) me klubet përkatëse. Ky ‘trend’ kishte lulëzuar më së shumti te klubi privat, Hysi, i cili kishte ndërruar hiç më pak se 7 trajnerë. Aspak mangut nuk kishte lënë as Trepça, e cila zëvendësonte 5 trajnerë, brenda një sezoni.
Gjatë sezonit të fundit, më aktivët në ndryshimet e shtabit teknik kanë qenë Hysi, Trepça, Trepça ’89, Ferizaj e Ballkani.