E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni perfekt, Barça rrëmben botën

Katalanët mposhtin 2-1 Estudiantes, vendos goli me gjoks i Mesit në shtesë
Barcelona mbyll sezonin perfekt. Në Abu Dhabi, falë një goli me gjoks të Lionel Mesit, lojtarit më të mirë në botë, katalanët thyejnë edhe tabunë e fundit. "Blaugranat" ngjiten në majë të botës, duke fituar trofeun e gjashtë në vitin 2009: pas Champions-it, La Ligas, Kupës së Mbretit, Superkupës së Spanjës dhe Superkupës së Europës, skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola merr në shtëpi edhe trofeun e fundit që i mungonte: Kupën e Botës për klube. Një triumf, të cilin nuk kishte arritur ta realizonte as "skuadra e ëndrrave" e Krujfit apo Barça e drejtuar së fundmi nga Rajkard. Një fitore e merituar, e ardhur në mënyrë rokamboleske vetëm në kohën shtesë, ndërkohë që Estudiantesit i ka mbetur vetëm zhgënjimi, pasi argjentinasit ishin kampionë deri në minutën e 87-të.
Përralla për atë që pa frikë mund të cilësohet si skuadra më e mirë e të gjitha kohërave vazhdon, por rruga drejt lavdisë absolutisht nuk mund të quhet një shëtitje. Barcelona ka luajtur në finale pa ritmin e zakonshëm dhe Estudiantes përfitoi duke shënuar golin e avantazhit me Boselin, i cili ishte vendimtar edhe në Kupën Libertadores, kur kronometri tregonte 37 minuta lojë. Më pas, argjentinasit kanë aplikuar "stilin e vjetër" të lojës, duke u mbyllur në mbrojtje me shpresën se do të fitonte. Por, ëndrra e skuadrës ku militon Huan Sebastian Veron përfundoi tri minuta përpara fërshëllimës finale: furia e jashtëzakonshme e sulmeve në minutat e fundit dha rezultatet e dëshiruara me të zakonshmin Pedro, që gjithmonë e më shumë po shfaqet si një element i rëndësishëm i katalanëve. I aktivizuar si zëvendësues në pjesën e dytë të lojës, sulmuesi shtatshkurtër nuk gabon pas asistit të Pike dhe mposht portierin Albil. Pasi momentet e vështira kaluan, ku në pjesën e parë është mohuar edhe një penallti neto për Iniestën, në kohën shtesë Barça vazhdon të sulmojë, pavarësisht se nuk është në formën e zakonshme. Për të zgjidhur ndeshjen mendoi ylli i padiskutueshëm i skuadrës, Mesi, që në minutën e pestë të kohës së dytë shtesë ka devijuar me gjoks drejt rrjetës një harkim të shkëlqyer nga Dani Alvesh. Barcelona shpallet në këtë mënyrë kampione e botës për herë të parë në histori: në vitin 1992 ata kishin humbur përballë brazilianëve të Sao Paolos, ndërsa më 2006-n nuk arritën të fitonin në finale përballë Internacional. Pas këtij suksesi është parë një skenë kuptimplotë: lotët lehtësues të Guardiolës, i cili është shndërruar në trajnerin më të suksesshëm. Në fund nuk munguan as vlerësimet individuale: Lionel Mesi u vlerësua si "Lojtari më i Mirë" i Botërorit për klube 2009, ndërsa pas tij u renditën Veron dhe Ksavi. Çmimi "Fair Play" për skuadrat u mor nga meksikanët e Atlantes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›