E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet 12 ditë para planit sezoni turistik

Plazhi më i madh në vend ka çelur zyrtarisht sezonin turistik të këtij viti të hënën. Çelja e sezonit pothuajse nga të gjitha qytetet e tjera bregdetare ka përshpejtuar datën e Durrësit, që kishte parashikuar 24 majin si ditë të hapjes zyrtare të tij, që të paktën nga ceremonia e zhvilluar nuk ka sjellë ndonjë ndryshim nga ajo e viteve të kaluara. Në pikë të diellit, në sektorin "Hekurudha" të plazhit më të madh, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, e ka deklaruar të hapur sezonin në prani dhe të zyrtarëve të lartë të niveleve të tjera të pushtetit vendor, si dhe atij qendror. Mijëra nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit kanë qenë protagonistët e vërtetë të kësaj ceremonie të zhvilluar në brezin e rërës. Pavarësisht problemeve që kanë nisur të evidentohen që tani për sa i përket nivelit të pastërtisë së ujit të Adriatikut në këtë pjesë të tij, pushtetarët vendorë kanë deklaruar se sezoni i këtij viti do të jetë i suksesshëm dhe më i mirë se ai i viteve të kaluara. Ndërkohë, kërkohet sensibilizimi i të gjitha palëve, përfshirë pushtetarët, ndërmarrjet që varen prej tyre, po më shumë biznesit dhe vetë pushuesve për një plazh të mbrojtur dhe higjienikisht të sigurt. Sipas kryebashkiakut Dako, Durrësi hyn në një epokë të re të zhvillimit turistik. Ai tha se turizmi mbetet prioriteti i bashkisë dhe promotori i zhvillimit ekonomik, ndaj meriton vëmendjen e të gjithëve për të punuar sa më shumë në përmirësimin e infrastrukturës së këtij sektori kaq të rëndësishëm për vendin. "Jemi angazhuar që të kemi një sezon turistik të suksesshëm sa më pranë kërkesave të turistëve të shumtë që pritet të vizitojnë qytetin tonë në verë. Këtë sezon ne prezantojmë një infrastrukturë të përmirësuar ndjeshëm, si dhe një axhendë të pasur me aktivitete të shumëllojshme kulturore dhe artistike të niveleve kombëtare e ndërkombëtare", - deklaroi kryebashkiaku. Ndërkohë prefekti i qarkut, Klodian Pajuni, nënvizoi me keqardhje faktin se shumë plazhe të tjera të rrethit mbeten jo fort të frekuentuara për shkak të infrastrukturës së mangët. Agjencitë e ndryshme turistike e kanë futur tashmë Durrësin në programet e tyre dhe në itineraret e kroçierave. Bashkia ka akorduar këtë vit një fond prej 10 milionë lekësh për t‘i dhënë një shtysë cilësore zhvillimit, ndërsa ka realizuar spotin promovues të turizmit, që do të transmetohet së shpejti në mediat më të rëndësishme vizive.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›