Zbulohet droga në Malësinë e Madhe, 3 në pranga, në kërkim 51-vjeçari, ruante parcelën i armatosur

Policia ka arrestuar tre persona për kultivim të bimëve narkotike dhe moskallzim të krimit në fshatin Ivanaj, në Malësinë e Madhe. Po ashtu është shpallur në kërkim shtetasi L. K., 51 vjeç për përkujdesje dhe ruajtje të parcelës me drogë me armë.
Në pranga ranë:
Gj. D., 51 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim;
F.Gj., 35 vjeç, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Përkrahja e autorit të krimit;
L.Gj., 70 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
“Në kuadër të këtij procedimi penal, u siguruan prova nëpërmjet pajisjeve inteligjente, ku shfaqej shtetasi L. K. (tashmë i shpallur në kërkim), i cili ruante një parcelë ku ishin kultivuar 161 bimë narkotike kanabis dhe vadiste bimët narkotike, në bashkëpunim me shtetasit Gj. D. dhe F. Gj.
Shtetasi L. Gj. kishte dijeni për rastin dhe nuk ka kallëzuar krimin, pasi në pronën e tij kalonte tubi i ujit që përdornin shtetasit e lartpërmendur, për të vaditur bimët narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.
161 bimë narkotike ishin kultivuar në një zonë të pyllarizuar në fshatit Ivan të cilat u asgjesuan nga Policia.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, ndërkohë që vijon puna kërkimore për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
/rtsh.al/