E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO, dy ditë para shitjes,“bum” interesi nga kompanitë

Sikur Shqipëria të kishte bursë, sigurisht që sot aksionet e ARMO, do të ishin në maksimumin e kuotimit. 

 Tre ditë para hapjes së ofertave, në Ministrinë e Ekonomisë, duket se gjuha e folur është anglishtja. Përfaqësuesit e 12 kompanive që kanë shprehur interesin dhe kanë plotësuar kushtet për privatizimin, janë pa pushim në ambientet e ministrisë. Duket se investimi, në gjigantin e naftës shqiptar, po kthehet në një çështje të rëndësishme për kompanitë e mëdha ndërkombëtare të prodhimit dhe përpunimit. Bëhet fjalë për kompani nga Shtetet e Bashkuara, Çekia, Greqia, etj. Avokatët e tyre, i kanë intensifikuar kërkesat e informacionit për konkurrentët. Gjithçka, që përflitet për ARMO-n mbahet shënim, si një pikë plus për konkurrimin. Lobingjet, sigurimi i informacionit, tre ditë para hapjes së ofertave, janë bërë më të vlefshme se kurrë. Interesi, sot në prag të privatizimit më të madh strategjik që ka kryer ndonjëherë Shqipëria pas vitit 1992, duket se është jetik për portofolin e 12 firmave, pavarësisht se dihet që vetëm njëra do të jetë fituese. Insistimi, tregon se vërtet kjo kompani, ka një interes strategjik. Pak kohë më parë, këtij interesi iu bashkëngjitën hapur edhe Shtetet e Bashkuara. Ambasadori amerikan në Tiranë, kërkoi nga Ministria e Ekonomisë, kujdes në përzgjedhjen e kompanive që do të blejnë gjigantin shqiptar. Si privatizimi më i madh strategjik, sigurisht, që amerikanët kishin dyshime se nafta, mund të kalonte në duart e gabuara strategjike për Shqipërinë. Edhe pse jo zyrtarisht, autoritetet kanë lënë të kuptohet se ndikimi rus në rajon, me anë të privatizimit të kompanive të naftës së vendeve fqinje, nuk duhej të shtrihej në Shqipëri. Sidoqoftë, vetëm pak ditë më vonë, kërkesës së ambasadorit, iu përgjigj direkt ministri Ruli. Ky i fundit, me anë të një letre i kërkoi ambasadës të SHBA në Tiranë, dhe indirekt autoriteteve amerikane, një hetim për kompanitë që kanë kërkuar të blejnë ARMO-n. Shteti shqiptar, kërkoi në këtë mënyrë, gjetjen e ndikimeve ruse në kompanitë që kanë shfaqur interes, për të shmangur kështu një privatizim të gabuar strategjik. Sot, kanë ngelur vetëm dy ditë nga hapja e ofertave të 21 majit. Dhe po të shkosh në Ministrinë e Ekonomisë, e kupton që ARMO është vërtet në qendër të vëmendjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›