Policët “ndeshen” në futboll, Shqipëria fiton në miqësore me Francën

Policia e Tiranës del triumfuese. Këtë herë nuk bëhet fjalë për luftën ndaj krimit, por për një ndeshje futbolli. 3 me 0 ka përfunduar ndeshja miqësore midis ekipit të futbollit të policëve të qytetit francez Nisë dhe kolegëve të tyre të Tiranës. Trajneri i ekipit të policëve shqiptarë, Skënder Doda shprehet se kjo është një ndeshje e cila rrit edhe më tepër miqësinë midis policive, pavarësisht rezultatit. Francezët e entuziasmuar për mikpritjen dhe argëtimin e kësaj ndeshje miqësore, nëpërmjet kapitenit të ekipit Zhan Klod Alkorko, shprehen mjaft të kënaqur si dhe mirëpresin ekipin shqiptar për një ndeshje tjetër në Francë.
Ndërsa shqiptarët, duke treguar edhe njëherë vlerat e larta zakonore, në shenjë mikpritjeje i dhurojnë kupën e fituar në fushën e lojës miqve francezë. Kjo dhuratë i dorëzohet kapitenit të ekipit francez nga kordinuesi shqiptar i ndeshjes si dhe kapiteni ekipit, Elvis Shkurta.
Ndërsa miqtë francezë falenderojnë organizatorët shqiptarë për mikpritjen si dhe atmosferën e krijuar, shefi i komisariatit nr. 2 të Tiranës, Erzen Brecani shprehet se gjithcka në këtë ndeshje shkoi sipas parashikimeve si dhe u sigurua qetësia dhe mbarëvajtja e ndeshjes miqësore. Policët francezë janë ndjekës të kombëtares së tyre e cila do të zhvillojë ndeshjen me Shqipërinë, në datën 2 shtator.