E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi e Ronaldo, nga një tjetër planet

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho ka thënë se nuk duhet të debatohet se kush është futbollisti më i mirë në botë, sepse Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo thjesht vijnë nga një tjetër planet. Strategu portugez ka lavdëruar realizatorët e golave në barazimin 2-2 në El Clasico, të dielën. Kurse sa i përket ndeshjes, Mourinho beson se shikuesit u ndanë të kënaqur.

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho është munduar t’i japë fund debatit të vazhdueshëm rreth meritave të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos duke insistuar se ata të dy thjesht vijnë nga një tjetër planet, dhe aktualisht dallohen nga gjithë të tjerët.

Messi dhe Ronaldo shënuan secili nga dy gola në barazimin 2-2 në Nou Camp, të dielën dhe Mourinho lavdëroi paraqitjen e kandidatëve kryesorë për Topin e Artë.

“Duhet të jetë e ndaluar të thuhet se kush është më i miri në botë. Këta të dy (Cristiano Ronaldo dhe Messi) vijnë nga një tjetër planet. Do të doja që Topin e Artë ta fitonte lojtari im, sepse ka fituar kampionatin më të rëndësishëm të botës, por të dy janë fantastikë”, deklaroi Mourinho në konferencë për shtyp.

Edhe pse dështoi të ngushtojë disavantazhin ndaj liderit Barcelonës, Mourinho nxori shumë gjëra pozitive rreth takimit, duke përfshirë numrin e rasteve për shënim.

“Mendoj se bota do të jetë e kënaqur, sepse shpeshherë këto lloj ndeshjesh janë shumë taktike dhe përfundojnë pa gola. Kurse ky duel kishte gjithçka që i pëlqen shikuesit. Ata tifozë që janë në zona të ndryshme kohore rreth Evropës, kanë mbetur të zgjuar dhe janë kënaqur shumë me këtë Clasico, e ndoshta do të shpresojnë në një tjetër në Kupë ose Ligën e Kampionëve, nëse kualifikohemi. Ishte ndeshje shumë e mirë dhe këtë ia kam thënë edhe Tito Vilanovës”, u shpreh Mourinho.

Kurse Messi, i cili shënoi dy herë duke përmbysur përkohësisht rezultatin, u ankua në problemet e Barcelonës me lëndimin e disa prej futbollistëve kryesorë, duke përfshirë dyshen e qendërmbrojtësve Carles Puyol dhe Gerard Pique.

“Nuk po kemi fat. Na mungojnë disa futbollistë të rëndësishëm, por ata që po luajnë në vend të tyre janë duke bërë punë të shkëlqyeshme. Ishte një ndeshje e mirë, do të kishim preferuar fitoren por duhet të kujtojmë se Real Madridi është skuadër e fortë”, deklaroi Messi.

Edhe bashkëlojtari Adriano u shpreh njësoj si argjentinasi dhe beson se vendasit ishin të përgatitur mirë për sulmin e madrilenëve.

“Ne jemi bërë gati për ndeshjen e sotme. Punuam për të ndalur rrezikun kryesor të Realit, kundërsulmet. Kam luajtur në qendër të mbrojtjes, sepse trajneri mendoi se mund të jem i dobishëm duke llogaritur se Reali është i shpejtë. Mëkat që nuk fituam. E dimë se ka edhe shumë ndeshje deri në fund të sezonit dhe ne ende kemi epërsinë e tetë pikëve”, deklaroi Adriano.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›