E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida më e madhe ndaj ëndrrës sonë evropiane

Teksti i një kënge të grupit “Elita 5”, që ishte bërë hiti i rinisë së fillimeve demokratike në Shqipëri dhe të fillimeve dramatike në Kosovë, akoma e ruan aktualitetin. “Edhe ne gjithmonë ëndërruam/ të jemi në Evropën e bashkuar/ prandaj dhe dy gishtat lart i çova/ prano përshëndetjet nga Kosova”.

Dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës do të mbahet mend gjatë nga çdokush që e ka përjetuar. Secili prej nesh, do të kujtojë përgjithmonë këtë ngjarje të madhe, të një dite të ftohtë shkurti të këtij viti. Kjo ngjarje madhështore, do të gjejë vendin e vet natyrshëm edhe në tekstet mësimore të shkollave dhe universiteteve shqiptare. Gjithsecili ka mundësi që ta konceptojë pavarësinë e shtetit më të ri në botë në atë mënyrë që e mendon në përputhje me kulturën, me dëshirat, me shpresat apo edhe në përputhje me përkatësinë e vet kombëtare. Po çfarë përfaqëson kjo ngjarje dhe si duhet konceptuar ajo? A duhet parë 17 shkurti si shkopi magjik me të cilin u zgjidh njëherë e mirë çështja jonë kombëtare dhe aspirata jonë evropiane, apo si fillimi i një procesi të ri, më të avancuar, por gjithsesi të mundimshëm të lëvizjes sonë kombëtare?

Kjo ngjarje përfaqëson përmbushjen e ëndrrave dhe sakrificave të rilindësve. Pavarësia e Kosovës është një hap vigan drejt përmbushjes së amanetit të tyre, por, nuk është fundi i rrugëtimit nga rilindasit. Gjithsecili prej nesh ka se çfarë të bëjë edhe mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ashtu siç ka pasur shumë për të bërë mbas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Integrimi në Bashkimin Evropian është shndërruar me kohë në një synim themelor të të gjithë shqiptarëve dhe është i mbështetur në aspiratën mbarëpopullore dhe në të njëjtën kohë është një hap i rëndësishëm për përmbushjen e ëndrrave dhe aspiratave të rilindësve.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve është ndërgjegjësuar se pa integrimin e tyre kulturor, ekonomik e politik, pa afrimin e tyre me njëri-tjetrin, nuk mund të ketë zhvillim, as kulturor, as ekonomik e as politik. Nuk ka dyshim se përbashkimi i shqiptarëve është parakushti kryesor për zhvillimin dhe më pas integrimin tonë në Evropë. Ky ndërgjegjësim është jo vetëm një përpjekje kombëtare, por edhe evropianizuese.

Serbët gjithmonë janë ankuar se diplomacia ndërkombëtare u ka rënë në hak, duke u marrë frytet e përpjekjeve të tyre kombëtare. Në përgjithësi, në opinionin publik dhe atë akademik të Serbisë, ka zënë rrënjë ideja se serbët humbasin në paqe atë që e fitojnë në luftë. Përpjekjet e Serbisë për ta rivënë në sprovë dhe në pikëpyetje legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si dhe pohimi i Sekretarit të Shtetit për Kosovën në qeverinë serbe, Oliver Ivanoviç se rruga e Kosovës për në BE do të kalojë medoemos përmes Serbisë, të bëjnë të mendosh se serbët këtë radhë kanë vendosur të bëjnë të pamundurën me qëllim që të fitojnë në paqe atë që e humbën në luftë. Kjo është një shtysë për shqiptarët që të mos e ndalin lëvizjen kombëtare shqiptare, duke pasur në qendër të vëmendjes shumëpërmasinë e kësaj lëvizjeje. Nuk mjafton të shohim me admirim punimet e rrugës Durrës-Morinë, për t´i dhënë vetes të drejtën për ta fjetur mendjen se për shqiptarët tashmë gjithçka është e zgjidhur. Nuk ka pse të ushqejmë iluzione se tashmë çështja kombëtare shqiptare nuk përbën më problem për aspiratën tonë evropiane. Nëse dikush do ta merrte si të tepërt, nëse do pohoja që rruga e shqiptarëve për në Evropë kalon nëpër Kosovë, atëherë me sigurinë më të madhe duhet pohuar se një nga kushtet më të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi, në BE, është stabiliteti në rajon dhe kryefjala e këtij stabiliteti është njohja e pavarësisë së Kosovës.

Sado reforma e përpjekje ekonomike që të bëjmë, brishtësia e situatës gjeopolitike ne Ballkanin Perëndimor, që vjen kryesisht si pasojë e mospranimit të shtetit të ri nga Serbia, është sfida më e madhe që i bëhet ëndrrës evropiane të shqiptarëve. Nëse në kushtet e sotme shteti i ri i Kosovës me vështirësi pranohet në federata sportive ndërkombëtare, duhet ta përfytyrojmë se sa vështirë do ta ketë që të pranohet në supershtetin e madh demokratik evropian. Mirëpo, sa më shpejt të zgjidhet çështja e njohjes së Kosovës, aq më shpejt do të përparojë edhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nuk ka se si BE-ja të pranojë në gjirin e vet një shtet si Shqipëria, në rast se gjysma e shqiptarëve do të jetojnë në një shtet të panjohur ndërkombëtarisht dhe të papranuar në OKB.

Evropianizimi është i lidhur ngushtë me respektimin e standardeve demokratike dhe të respektimit të të drejtave të njeriut. Në të drejtat e njeriut futet edhe e drejta e vetëvendosjes së anëtarëve të një kombi. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë që të gjitha shtete të cilat e kanë arritur fazën e integrimit kombëtar. Madje, baza e të gjitha proceseve integruese evropiane qëndron pikërisht këtu: tek mungesa e pretendimeve territoriale të shteteve anëtare. Në këtë rast, sovraniteti i secilit shtet shtrihet mbi pjesëtarët e kombit përkatës.

Për këtë arsye shqiptarët duhet të priren drejt një lëvizjeje të re kombëtare, e cila do të udhëhiqej nga një mendim politik, i cili e koncepton Shqipërinë e shqiptarët së mbari dhe jo së prapthi, që e projekton të ardhmen e Shqipërisë e të shqiptarëve në mënyrë normale, duke vënë si imperativ kryesor e të menjëhershëm, realizimin e plotësisë kombëtare dhe që i drejton drejt kësaj prirjeje politike të natyrshme, si kusht themelor pa të cilin nuk mund të integrohen denjësisht në Evropë. Hapi më i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE është stabiliteti dhe paq[timi rajonal, thënë ndryshe, pranimi ndërkombëtarisht i Kosovës si shtet i pavarur. Sado reforma që të bëhen dhe sado të zhvillohet ekonomikisht Shqipëria, me barrën e pastabilitetit të Kosovës, procesi i integrimit të Shqipërisë në Evropë ka për të mbetur pezull. Për këtë arsye, njohja ndërkombëtare e Kosovës përbën sfidën më të madhe që duhet të përballojnë shqiptarët në rrugën drejt Evropës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›