E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vakia, si kalë beteje i opozitës

Politika shqiptare ditët e fundit është ndezur përsëri, pas vdekjes së një personi në rrethana ende të padeklaruara zyrtarisht, opozita shqiptare është ngritur e tëra në këmbë. I pari që doli duke folur me duar dhe këmbë, për vrasje, komplot, paramendime dhe pasmendime ishte vetë zoti Rama. Ai brenda pak minutave bëri ekspertin e transportit, hetuesin, mjekun ligjor, prokurorin etj., etj., madje me këtë artikulim ai zbuloi edhe shkaqet, autorët, duke dhënë pretencën dhe vendimin në emër të opozitës. Dukej që Shqipëria kishte krijuar një model të paparë deri tani ku kryetari i bashkisë së kryeqytetit, njëkohësisht edhe kryetari i opozitës, kryen edhe funksionin e shefit të shërbimit sekret, prokurorit të përgjithshëm, kryetarit të Gjykatës së Lartë, shefit të policisë gjyqësore, pse jo, edhe atë të policisë rrugore. Unë personalisht, duke pasur një background larg fushës së hetimit, nuk do të guxoja të shprehem për konkluzionet e organeve kompetente para verdiktit përfundimtar të tyre. Por si deputet, kam të drejtë morale që të mbaj një qëndrim për veprimet antikushtetuese të opozitës shqiptare. Siç e kam theksuar edhe herë të tjera opozita shqiptare nuk prodhon politikë por rend pas ngjarjeve të rastit të vogla apo të mëdha në mënyrë që ta shfrytëzojnë sa më mirë politikisht vakinë e ndodhur. Ka një mungesë të vizionit, ka një mungesë të programit apo të një projekti politik gjë e cila është pranuar edhe nga një pjesë e opozitës. Sot në vendin tonë kemi me dhjetëra sfida që preokupojnë shqiptarët, në drejtësi, integrim, arsim, mjedis, bujqësi për të cilat edhe qeveria edhe mazhoranca kanë nevojë për një opozicion profesional për zgjidhje alternative. Madje një opozitë e tillë për zhvillimin ekonomik të vendit me alternativa konkrete do të vinte më në pozitë qeverinë për të punuar më mirë në funksion të elektoratit. Po të shikohen me vëmendje të gjitha gjetjet, pra politikat e prodhuara nga opozicioni shqiptar, janë jothelbësore dhe një opozitë për vete dhe jo për shqiptarët. Rrëzimi i një helikopteri, rrëmbimi i një avioni turk, ngjarja e Gërdecit etj., kanë qenë betejat më të shquara të opozitës shqiptare. Kthimi i vdekjes në «Kalin e betejës» te opozita shqiptare është e paprincip ndërsa paralajmërimet makabër të ndonjë deputeti për vdekje të tjera, është antikushtetues sepse shpërndan terror dhe frikë tek qytetarët, të cilët jetojnë në paqe me veten dhe familjet e tyre. Ndërsa rendja pas vakisë së ndodhur dhe bashkimi i opozitës rreth vdekjes të kujton trashëgiminë e saj komuniste apo thirrjet për «Thyerjen e kafkave», pse jo edhe mënyrën e marrjes së pushtetit në vitin 1997.

Deri tani kam qenë mosbesues ndaj politikes së re të z. Rama dhe nuk kam parë asgjë tek ajo, por përdorimi i «Vdekjes» dhe vakisë si lëvizje politike është vërtetë një risi e së majtës shqiptare.

Ndërsa z. Rama bërtet me të madhe për pavarësinë e prokurorisë duke vendosur edhe ultimatume 30-ditore, është ai i pari që shkel pavarësinë e saj, është ai i pari që shfaq mosbesimin e tij ndaj saj, është madje ai i pari që merr rolin dhe funksionin e saj. Drejtimi i gishtit ndaj autorëve imagjinarë, përcaktimi i rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes nga ana e tij dy orë pas vdekjes më së pakti, paragjykon rezultatin e hetimit dhe rrit presionin ndaj tyre për vendim përfundimtar. Kjo politikë e re përbaltjeje ndaj qeverisë aktuale, ministrave, Kryeministrit, së bashku me akuzat e hedhura ndër vite për ngjarje të tilla si 11 janari, 2 prilli, 12 shtatori, krijon një perceptim të gabuar tek shqiptarët. Sikur në këtë sallë janë mbledhur një grup mëkatarësh që kanë mbi supet e tyre shumë gjynahe dhe mundohen që t’i fshehin ato. Mosheqia dorë nga koraca e imunitetit parlamentar nga deputetët e opozitës është një tjetër argument në funksion të kësaj psikoze të krijuar për ligjvënësit shqiptar. Ky perceptim krijon gjithashtu një distancë të madhe ndërmjet ligjvënësve dhe të zgjedhurve dhe pa dyshim krijon premisat për humbjen e besimit tek politika. Prandaj, mos gjuani me baltë njëri-tjetrin se të gjithë spërkatemi nga pak, të jemi më serioz në ngritjen e akuzave dhe kundërakuzave ndaj njëri-tjetrit. Dhe të paktën për një herë të vetme t’i lëmë specialistët, t’i lëmë organet kompetente që të bëjnë punën e tyre dhe të presim me durim rezultatin përfundimtar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›