E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, mundësia për çbunkerizimin e OKB-së

1. Çështja e avancimit sasior të numrit të shteteve që e njohin Kosovën, është gjithsesi e rëndësishme. Në rend të parë, është me rëndësi për nga aspekti formal dhe procedural, bazuar në praktikën e funksionimit dhe të bashkëpunimit në fushën ndërkombëtare. Në rend të dytë, rritja e numrit të shteteve që e pranojnë Kosovën apriori, është goditje për Beogradin dhe nunët e tij nëpër botë. Dhe nuk është fatkeqësi dhe as dobësi e Prishtinës, ndërsa që çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB, mbetet për kohë më të mira. Njohjet po vazhdojnë dhe njohjet po vijnë hap pas hapi. Dhe kjo punë është diçka e mirë që i ndodh Kosovës. Ardhjet, ndonëse duken të ngadalshme, janë prioritet në kohën kur kërkimi i rrugëve për forcimin e subjektivitetit politiko-juridik në suaza të rendit shtetëror ndërkombëtar është çështje strategjike dhe e perspektives së përgjithshme! Sidoqoftë, lobimi lidhur me njohjen po bëhet me seriozitet dhe me intensitet. Në shumë përmasa,shihet që mirëkuptimi i thjeshtë që Kosova të njihet si shtet po kthehet në koncept politik dhe shumë shtete,si Maqedonia, Mali i Zi, Arabia Saudite, Greqia po ecin drejt vendimit të ardhshëm shtetëror për njohjen e Kosovës. Ndërkaq, ne duhet ta kuptojmë që çështja e njohjes ndërkombëtare të një shteti nuk mund të cilësohet si akt i thjeshtë dhe i lehtë. Qëndrimet dhe marrjet e vendimeve për njohje janë, në fakt, veprime të analizuara imtësisht, janë procedura të ndërlikuara të mekanizmave institucionalë të çdo shteti. Unifikimi shtetëror është i domosdoshëm në këtë drejtim. Pastaj, dihet që edhe bëhen akte dhe lloje të ndryshme të njohjeve. Njësoj merren vendime që rëndom shtrihen mbi raporte, mbi interesa politikë dhe strategjikë të akëcilit shtet, në raport me shtetin që duhet të njihet. Nuk është puna sikur të shkosh në treg për të blerë fasule, dhe aq më pak, sikur të improvizosh një deklaratë apo të shkruash një ese për shkundjen e fletëve të mollëve në vjeshtë…! Kosova për mendimin tim, ka përjetuar një kthesë të fuqishme të sovranitetit të legjitimuar ndërkombëtar pas 17 shkurtit, dhe kjo duhet të na impresionojë të gjithëve. Ata që merren me analiza politike, me marrëdhëniet ndërkombëtare, me historiografinë e lindjes dhe zhvillimit të shteteve e di fare mirë se sa është e vështirë rruga e hyrjes në familjen e madhe të shteteve dhe, rreshtimi vertikal në këtë familje.

2. Realisht, kur është në pyetje çështja e njohjes, gjërat kanë ecur pozitivisht. Liria për ta forcuar këtë rrugë, mbetet prioritet yni. Ndërkaq, sfidat janë gjithandej. E kaluara e ndarjeve botërore, ndikimet politike dhe ideologjike, ato fetare, gjeostrategjike, kulturore, hezitimet e ndryshme kanë ndikuar dhe po ndikojnë jo pak në çështjen e njohjes ndërkombëtare të vendit. Por pavarësisht qëndrimeve dhe sfidimeve, pavarësisht politikave të luhatshme që i hasim aty-këtu ndër shtetet afrikane, ato arabe, aziatike, amerikano-latine numri kualitativ i shteteve që e njohin Kosovën, po rritet. Pra, s’vjen në shprehje recidiviteti i gjendjes së para 17 shkurtit dhe as ngrirja e rrugës së njohjes, sepse do të vijnë njohje të tjera të reja, pak nga pak. Kosova është duke u përkrahur vazhdimisht nga qendrat e rëndësishme dhe të fuqishme të botës. Ndërkaq, frika nga ankesat e Beogradit për bllokim të realitetit shtetëror të Kosovës është inekzistente. Nuk ka gjë nga kjo punë, domethënë nga ankesa e Beogradit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. OKB-ja nuk preferon rikthim të çështjeve në pikën zero si kjo e Kosovës, por preferon relativizim, zgjidhje, përparim… Çka duhet të presim ne nga OKB-ja? Duhet të presim përparim të çështjes së Kosovës në suaza të statusit aktual të saj, sepse Kosova tashmë është njohur nga, fiks, 46 shtete që pashmangshëm janë anëtare mu të OKB-së. Siç dihet, tri prej tyre janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Në punimet e Asamblesë së OKB-së ishte dashur të presim që të kemi përparim, shtytje dhe solidarizim me statusin aktual të Kosovës. Dhe debati për Kosovën në OKB, duhet të shkojë drejt shqyrtimit të njohjes së statusit të Kosovës, dhe jo të debatit lidhur me ankesën e Beogradit në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë. Por OKB-ja ka kohë që është kthyer në një bunker politikash të ngurta, veçanërisht nga qëndrimet e Kinës dhe të Rusisë si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Kësisoj, ka vite të tëra që OKB-ja nuk ka bërë asnjë hap të vetëreformimit. Asambleja e OKB-së ka shansin real që ta shfrytëzojë rastin e Kosovës jo vetëm për ta avancuar misionin global që ka organizata, por edhe t’i modernizojë dhe t’i demokratizojë në shkallë të gjerë ndërkombëtare dimensionet e lirisë dhe të sovranitetit.

3. Serbia, përkundër fakteve që janë në favor të njohjes ndërkombëtare të Kosovës, po përpiqet të krijojë tym nga zjarri i improvizuar. Edhe aleatët gjithnjë e më të pakët të Beogradit, po nxisin haraçe të paragjykuara dhe të justifikuara si në Gjeorgji, duke e përdorur si paravan çështjen e Kosovës. Sidoqoftë, rritja e numrit të shteteve që e njohin Kosovën, përbën një procedurë të ligjësuar, në interes të Kosovës. Por Kosova ka nevojë të trajtohet me respekt nga shtetet e ndryshme. Kosova ka nevojë të trajtohet si rast i paparagjykueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe jo të synohet që të paragjykohet për t’u përdorur si trampolinë, në spektrin e llogarive të interesave nga më të ndryshmet. Gjithashtu, debati që ka përfshirë opinionet e brendshme dhe të jashtme, institucionet e ndryshme të brendshme dhe ndërkombëtare, partitë, elitat, intelektualët, gazetarët, mediat, analistët nuk duhet quar drejt stërkeqjeve, por drejt shtratit të shëndoshë të presioneve parimore dhe lobimeve pozitive. Qeveria në Prishtinë është duke punuar vazhdimisht për avancim të njohjes, njësoj lobime të fuqishme po bëhen gjithandej, ndihmuar fuqishëm edhe nga miqtë tanë historik në Uashington, Londër, Romë, Stamboll etj. Prandaj, në asnjë mënyrë statusi shtetëror dhe njohja ndërkombëtare e këtij statusi nuk mund të shërbejnë dhe as s’duhet lejuar që të shërbejnë për shpëlarje mendimesh dhe opinionesh të çoroditura politike, kulturore, propagandistike, fetare etj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›