E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nostalgji dhe manipulim



E kuptoj Hashim Thaçin që pohon: "Kosova është në aleance të plotfuqishme me bllokun Perëndimor", por kur kjo frazë citohet nga një intelektual i ri, më ngjason me filmat indoktrinues të enverizmit ku edhe fëmijëve u jepej një rol në Luftën Çlirimtare dhe në krijimin e shtetit komunist. Ndue Ukaj, i rrëmbyer nga euforia dhe nga dëshira për t'i rënë gajdes në orkestrën e udhëheqësve, është një debatikas i vërtetë, por ama jashtë kohe.

"Blloqet" Perëndimore dhe Lindore kanë rreth 18 vite që regjistrohen si pjesë e së kaluarës. Kjo terminologji nuk i përket realitetit, sepse përcakton një polarizim të botës gjatë Luftës së Ftohtë. Studiues si Fukuyama dhe Huntington kanë teorizuar fundin e kësaj epoke dhe fillim e një tjetre që vendos përballë polarizime jo më mbi baza ideologjike, por historiko-kulturore (pa harruar ato ekonomike). Vetëm mentaliteti i së kaluarës, mllefet mesjetare, nostalgjia e komunizmit dhe majmunizmi i elitave apo i pushtuesve të mediave, mund të na rikujtojë "blloqet". Është njëlloj sikur H. Thaçi të shprehej: "Kosova është në aleancë të plotfuqishme me Antantën". Kjo terminologji ka një kohë të caktuar në histori dhe kur rikujtohet ka tri shpjegime: injorancë, që nuk është e çuditshme për klasën tonë politike dhe koret që i mbajnë ison në një periudhë kur kërkohet mbështetje nga sa më shumë vende; lapsus, që natyrisht vjen nga nostalgjia e së kaluarës dhe mospranimi i realitetit; servilizëm, të fokusuar nga një këndvështrim që bazohet tek ideja eurocentrike (politikisht e tejkaluar) ku diversitet do të thotë konflikt dhe "(vetëm) ne jemi të mirët, të fortët, të drejtët, të zgjedhurit, të…".

Duke hedhur një vështrim të thjeshtë mbi Evropë, gjejmë shtete si Polonia, Republikat Baltike, Çekia, Sllovakia, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Sllovenia pjesëtare të familjes "perëndimore". Janë të gjitha shtete ish-pjesëtare të Bllokut Komunist, satelite të BS-së. Anëtarësimi i tyre në BE, drejt të cilës aspiron edhe Kosova, dëshmon jo vetëm mosekzistencën e blloqeve të Thaçit, por edhe prezencën e disa popujve me karakteristika të ndryshme historiko-kulturore, në kundërshtim me teorizimin e Huntingtonit, në të njëjtën familje evropiane. Këtu ka dy vërtetësi: në BE marrin pjesë shtete dhe popuj me karakteristika të ndryshme që të përbashkët kryesore kanë përkatësinë gjeografike dhe gjithashtu disa normativave, të domosdoshme për t'u uniformizuar me ato që i kanë përcaktuar. Kjo zhvlerëson ato personazhe që mundohen të mohojnë vetveten duke shpërfytyruar kombin që të bëhen pjesë e kësaj familjeje duke gjetur lidhje mesjetare. Kur do ta kuptojnë që nuk jetojmë në Mesjetë? Vërtetësia e dytë është se pikërisht terminologjia e "Bllokut" sipas botëkuptimit të Thaçit dhe interpretimit të Ukajt nuk ka vend për veteë realitetin e kësaj ndërthurjeje të ish-pjesëmarrësve në këto blloqe.

Jo z. Kryeministër dhe z. Ukaj & Co, nuk janë shqiptarët, siç pohoni ju, "të paaftë për t'u rreshtuar në politikat ndërkombëtare". Ne kemi qenë të rreshtuar në shahun ndërkombëtarë që në kohën e Skënderbeut, por kanë qenë këto "forca", përcaktuese të aftësive dhe perspektives sonë. Shqiptarët nuk donin të jetonin të ndarë, kërkonin pavarësi dhe liri, nuk njihnin as komunizmin, por ja që "forcat ndërkombëtare " kanë qenë vendimtare. Ali Pashë Tepelena kërkoi aleanca me fuqi perëndimore, por, ashtu si Skënderbeu më përpara, u braktis. Ahmet Zogu drejtoi shikimin nga Perëndimi, por u pushtua nga "miqtë". Do të ishin po këta "miq", skulptorët e hartës dhe të ardhmes së zezë të shqiptarëve. Populli kosovar i dhunuar rroku armët për t'i dhënë fund gandizmit rugovian, krijoi UÇK-në, por, gjer në fillim të 1999-ës ky organizëm popullor, për Britaninë e Madhe, ishte terrorist ashtu siç ishte Partia e Kongresit Afrikan e Nelson Mandelës për Departamentin Amerikan, një organizëm terrorist gjer në 1989-ën, një vit ku Saddam Husein ishte akoma aleat i rëndësishëm për të njëjtin departament! Nuk është paaftësi për popullin e Thaçit, që poshtërsinë e "të fortëve" ia vesh atij të cilin duhet ta mbrojë dhe jo ta nëpërkëmbë me mashtrime, dhe të Ukajt që na përcjell këto mesazhe groteske, por vullneti i atyre që na dënuan për më shumë se një shekull Odise.

Është më naive z. Ukaj, mënyra e rikthimit tuaj në momentin historik "të largimit të shqiptarëve nga Jugosllavia drejt Turqisë kur shkruani: "Nga njëri shtet i fuqishëm i botës islame jemi tkurrur shumë, falë një bashkëpunimi të shkëlqyer të atëhershëm mes atij shteti dhe pushtetit komunist në Beograd". Nuk dua të mohoj ngjarjen, por vetëm mënyrën si e interpretoni ju. Beogradi, Turqia islamike, marrëdhëniet e mira mes tyre dhe populli ynë viktimë, janë tre ingredientë të një reaksioni jo vetëm inekzistent, por edhe tendencioz ndaj një Turqie që është më afër Kosovës se mjaft vende të tjera perëndimore. Fragmenti i shkrimit është tragjikomik. Komiciteti qëndron tek mosnjohja apo injorimi i qëllimshëm, lehtësisht i evidentueshëm në linjën e logjikës suaj, i dy fakteve që ju shpien në një gafë, ndërsa është tragjik reduktimi i logjikës për të kriminalizuar këtë shtet duke e barazuar me Serbinë. Nëse doni të tregoni se Turqia nuk favorizoi shqiptarët dhe meriton për këtë të barazohet me Serbinë, bëni mirë, për hir të së vërtetës t'i barazoni edhe "miqtë" e rinj, sepse kanë vepruar më keq jo vetëm në trojet tona, por në të gjithë botën. Siç pohova më lart, ju errësoni dy fakte. Së pari, kur ndodhi "shpërngulja", Serbia nuk ekzistonte përveçse në kuadrin e Jugosllavisë, një shtet i krijuar nga ato fuqi të cilave i serviloset Thaçi. Turqia ishte dhe është shtet laik, të paktën në atë periudhë ka përjetuar kulmin e tendencave perëndimorizuese dhe islam-refuzuese (të pasuksesshme). Hyri në Konferencën Islamike kur ajo u themelua, pra 3 vite pasi kishte përfunduar ose të paktën ishte ulur ritmi i shqiptarëve të drejtuar për në Turqi. Së dyti, largimi i shqiptarëve nga Jugosllavia nuk do të thotë se erdhën turqit duke rrëmbyer popullin tonë për ta dërguar në Stamboll apo Anadoll. Devshrimeja ka thuajse 4 shekuj që nuk ekziston z. Ukaj. Po kështu jeniçerët, nizamët nuk janë institucione që i përkasin periudhës në fjalë. Përse e shikoni Turqinë në të njëjtën mënyrë si Perandorinë Osmane? Përse barazoni këtë Perandori me Serbinë? Vetëm kisha (kryesisht sllave) dhe enverizmi kanë pasur një vizion të përbashkët në këtë aspekt.

Të marrim shembull emigracionin italian nëpër botë, veçanërisht në SHBA dhe Amerikën Latine. Italia me 60 milionë banorë, aktualisht numëron 30 milionë banorë te shpërngulur anekënd botës. E gjithë kjo lëvizje ka qenë vullnetare, e ndezur nga faktorë ekonomikë dhe e kontrolluar, shpesh, me marrëveshje mes shteteve. Traktatet me Argjentinën në 1947-'48 spostuan gjysmë milioni italianë, më vonë marrëveshjet e viteve 1953, 1959 apo 1955 me Gjermaninë. Para Luftës së Parë këto marrëveshje ishin me SHBA-në. Mos vallë ju kërkoni të na bindni se Italia në marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA-në, Gjermaninë, Argjentinën, Britaninë, Zvicrën etj., me shpërnguljen e 30 milionë qytetarëve me pëlqimin e tyre dhe me vullnetin e saj (Italisë), i quan këto shtete tkurrës të demografisë italiane? Dallimi i shpërngulje/emigracionit mes Jugosllavi-Turqi dhe Itali-Botë është se Jugosllavia kishte interesa etnike dhe politike, ndërsa Italia ekonomike (edhe politike), por shtetet tek të cilat kjo popullsi u drejtua janë të njëjta, vetëm pritës që udhëhiqen nga interesat e tyre vetjake universale, në asnjë mënyrë të fajësueshëm për politika që ato nuk i kanë nxitur, krijuar aq me tepër imponuar.

Thelbi, apo elementi tragjik, është tendenca për të barazuar nëpërmjet miqësisë, Turqinë dhe vendet islame, me Serbinë. Miqësinë mund ta gjeni të konkretizuar pa shkuar aq larg z. Ukaj. E kemi këtu në familje ose në lidhje direkte me shqiptarët. Shqipëria ishte në marrëdhënie edhe më miqësore me Jugosllavinë, marrëdhënie që i mbajti për dekada, në dukje të ftohta. I keni parë ndonjëherë buzëqeshjet dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme të Titos me Niksonit? Po buzëqeshjet e Roosevelt-Churchill-Stalin në Jaltë ku vendosen që Shqipëria të jetonte komunizmin? Kosova, përveç komunizmit duhej të vazhdonte ndarjen nga trualli ashtu si shumë pjesë të tjera që dekada më përpara këto "buzëqeshje" ua kishin lënë në formë njollash, truallit të tigrave ballkanik. Për të ardhur tek buzëqeshjet Clinton-Millosheviç apo mes këtij të fundit dhe Rugovës. Quhet politikë dhe bazohet në interesa, por duhet të jeni objektiv dhe përpara fluturimit dekada më pas, për të gjetur faje irreale, kërkoni më afër, faje reale. Sot Kosova bazon pjesën më të madhe të import-eksportit tek Serbia, tek ky shtet që tkurri popullsinë dhe trojet tona... apo nuk shikoni afër hundës ju zotëri?

"Jo, nuk besoj se është falimentim. Duhet shikuar nëse gota është gjysmë e plotë apo gjysmë bosh", - janë fjalët e Boutros Ghal-it mbi qëndrimin e OKB-së ndaj Srebrenicës. Kjo dëshmon sa rëndësi kemi t’i dhe unë së bashku me të gjithë popullin për "miqtë". Srebernica mund të ndryshojë etni, rajon, periudhë, por lojtarët vendimmarrës dhe indiferenca për jetën do të mbesin gjithmonë karakteristikë e "të fortëve" që nuk njohin miq.

"Regjionalizimi i botës është etapa paraglobale" - teori e mbështetur nga z. Berzezinski. Me rregjionalizim nënkuptojmë polarizimin në disa organizma që janë në marrëdhënie interesash, jetike për mbijetesën. Normativat e globalizimit i përcaktojnë "të fortët", ne vetëm pranojmë në heshtje. Kjo fazë kërkon bashkëpunim dhe jo diversitet konfliktual të përcaktuar në "blloqe" siç mendojnë nostalgjiku Thaçi dhe "debatikasi" Ukaj. Perëndimi, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për pjesën tjetër të botës. BE-ja kaq shumë e majmunizuar, është krijuar për të tejkaluar konfliktet civile të kontinentit. Gjermania dhe Franca janë masakruar gjer në fundin e Luftës së Dytë Botërore, po kështu SHBA-ja me Japoninë, Kina me Evropën dhe Japoninë, Spanja me Amerikën Latine, Britania me Indinë, ne me disa vende perëndimore e kështu me radhë, në epoka të ndryshme. Kosova, shteti i fundit në arenën ndërkombëtare, nëpërmjet përfaqësuesit e saj, pretendon se dielli lind dhe perëndon në Perëndim. Atëherë do t'i kërkoja Thaçit dhe Ukajt, nëse munden, së pari të ndërpresin çdo marrëdhënie me Serbinë (e luftuar nga "Blloku Perëndimor" dhe si "motër" e Rusisë) dhe së dyti, të provonin ndërtimin e një mur-pengese të erërave shiprurëse (ujit) që vijnë nga Afrika dhe energjisë të ardhur nga Lindja e Mesme apo Rusia! A do mund të mbijetonin? SHBA-ja ndodhet më në perëndim se ne, por kjo nuk i pengon të jenë shembull ndërveprimi interesash pa asnjë dallim. Britania e Madhe, mishërim i Perëndimit klasik, nuk pengohet nga mentaliteti i getizimit dhe merr pjesë paralelisht me BE-në në Commowealth së bashku me shtete, popuj, rajone me karakteristika nga më të ndryshmet dhe larg Evropës.

Shqipëria, Kosova dhe Serbia nesër do të ulen në tryezën e familjes evropiane, pasi aspirojnë me të njëjtën forcë pjesëmarrjen. Kjo do të sanksionojë edhe më fuqishëm tejkalimin e mentalitetit të "blloqeve" së bashku me idiotësinë e atyre që mendojnë se e ardhmja e jonë do të jetë jashtë kuadrit ballkanik në një normalitet artificial me ngjyresa të humbura, thellë në histori. Përfaqësues shqiptarë të dy shteteve do t'i shtrëngojnë dorën serbëve, taksat tona do të shkojnë në formë fondesh investimi në Serbi dhe anasjelltas, blloqet e Thaçit do të jenë edhe më qesharake, por a do të shkruajë Ndue Ukaj se "shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës kanë marrëdhënie të shkëlqyera me pushtetin e Beogradit?!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›