E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suksesi i protestës është i barabartë me dështimin

Kam ndjekur me vëmendje deklaratat e liderit të opozitës ditët e fundit për “vrasjen e paramenduar” të të ndjerit Trebicka dhe thirrjet për “drejtësi dhe siguri” drejtuar opinionit publik në tërësi. Me bindje them se ky qëndrim politik përfaqëson një batak moral, intelektual dhe ligjor. Asnjë teori, moralisht koherente, nuk mund të përligjë deklarime e thirrje të tilla mbështetur mbi shpifje për një krim që nuk ka ndodhur, apo të paktën nuk është provuar deri tani nga ekspertët. Kësisoj dëmi dhe konfuzioni që mund të shkaktohet nga shpifja e tij normalisht shumë i madh, përderisa drejton partinë më të madhe të opozitës. Përveç kësaj, po terrorizohet opinioni publik në tërësi, duke konfonduar sigurisht edhe dhimbjen e familjarëve të të ndjerit Trebicka. Këto janë shkelje të rënda jo vetëm politike, morale, por edhe penale, pasi ai kërkon të nxjerrë përfitime politike në kurriz të një aksidenti apo viktime fatkeqe. Ky padyshim është një shantazh i pastër politik, në skenarin tipik të një shantazhi kriminal, që kërkon të uzurpojë autoritetin e ligjshëm të shtetit. Qëllimi i vetëm programor i opozitës mesa duket është krijimi i një klime frike e terrori, ushtrimi i një dhune virtuale e verbale ndaj qytetarëve të lirë të këtij vendi, nxitja e kriminalitetit në Shqipëri, me qëllim kryesor rrëzimin e qeverisë dhe prishjen e statu-quo-së politike aktuale. Por si guxojnë drejtuesit opozitarë të mendojnë se mund të vijnë në pushtet nëpërmjet mekanizmave që erdhën në vitin ‘97 përmes shpifjes dhe terrorit. Shpifja a nuk quhet krim? Kjo rrugë ka tipare të fashizmit. Mirëpo në shekullin e ri aksione të tilla, që mohojnë ligjet dhe institucionet, përfundojnë në mbizotërim të pashpresë. Kjo politikë e pisët, që ndyn gjithçka dhe nuk zgjidh asgjë, me thirrje antikushtetuese, me shpifje delikuente, që përpiqet të provokojë intolerancën, histerinë kolektive, si një makth i rishfaqur që mbizotëron në “filozofinë” e tyre politike, mbështetet në teoritë e Niçes dhe të Marksit. Natyrisht zakonet e vjetra nuk vdesin lehtë. Ata kërkojnë drejtësi pa pyetur për drejtësinë. Rruga për dhënien e drejtësisë duhet kërkuar në maksimumin e mundshëm të arsyes. Ata u kërkojnë njerëzve t’i nëpërkëmbin me pëlqimin e tyre, u kërkojnë të shesin të drejtat e tyre.

Detyra e liderëve të opozitës që kanë marrë përsipër nuk mund të zgjidhet në rrugë revolucionare. Kohët heroike Zotit i qofshin falë, ikën e shkuan.

Në botë ka filluar një proces i pakthyeshëm demokratik. Politika nuk është më romantike revolucionare në sytë e publikut, nuk ka më fytyrën e “gjeniut” të veshur me zhelet e mohimit të ligjeve. Në përpjekjet e përbashkëta për integrim dhe kohezion kombëtar, ndihet gjithnjë e më shumë nevoja për një opozitë reale dhe të përgjegjshme me alternativa të qarta sociale për të realizuar ndryshimet që janë principi rregullator kryesor i gjithë fushës së politikës. Motivi juaj i protestës është i pambështetur në frymën e komunitetit, ka në themel të tij vetëm emocionet e një grupi të caktuar njerëzish, prandaj dhe suksesi është i barabartë me dështimin.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›