E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verdiktet e mëdha të sezonit

Tirana u rikthye në mënyrë madhështore në panteonin e kampionëve të mëdhenj. Kësaj radhe për herë të 24-t. Një rekord shqiptar. I paarritshëm nga askush. As nga motrat e saj kryeqytetase Dinamo (17) e Partizani (15). Titulli kampion, në javën e fundit, kundrejt një rivale të madhe si Vllaznia (2-1), e për më tepër në tempullin mitik të futbollit shqiptar “Qemal Stafa”. Një titull i merituar plotësisht. Me një dominim thuajse total të bardhebluve nga minuta e parë e deri të vërshëllima e gjyqtarit sllovak Hreniak. Me një kryevepër të kapitenit Devi Muka, pikërisht në sekondën e 100-të super-sfidës së sezonit 2008-2009 e me një gol plot finesë të “Këpucës së artë” të këtij kampionati, Migen Memellit (30’), që regjistroi nga ana e tij jo vetëm golin e tij të 22-të në kampionat, por dhe titullin e tij të parë si kampion i Shqipërisë. Goli i Xhevair Sukajt në minutën e 88-të shërbeu thjesht për statistikat e ndeshjes, në një takim jo pak të tensionuar e të frymëzuar nga më shumë se 12 mijë të pranishëm në impiantin ndërkombëtar.

Flamurtari fiton Kupën

Një gol inteligjent “in extremis” i 20-vjeçarit Hair Zeqiri (92’) vulosi fitoren 2-1 Flamurtarit ndaj Tiranës në finalen e edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dorëzoi kapitenit kroat të vlonjatëve, Branko Paniç, trofeun e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në vend, njëherësh edhe i treti në historinë 86-vjeçare të Flamurtarit, pas atyre të fituar në vitin 1985 e 1988. Pas tri finaleve të humbura me Tiranën (1983, 1984 e 1996), Flamurtari rikthehet pas 18 viteve me një trofe, duke llogaritur edhe kampionatin e fituar në vitin 1991. Pas 94 minutave lojë në asnjanësin “Niko Dovana”, heronjtë kuqezi kanë të drejtë t’u gëzohen 100 mijë eurove të vendosura si shpërblim për fitimin e Kupës së Shqipërisë nga presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, por dhe një vendi në Ligën e Europës në sezonin e ardhshëm.

Tirana fiton Superkupën

Tirana, kampione e vendit për sezonin 200-2009 u përball në finalen e Superkupës me Flamurtarin, fituese e Kupës së Shqipërisë për vitin e kaluar. Tirana fitoi 1-0 me një gol të realizuar nga Arbër Abilaliaj. Kjo ishte finalja e 16-të historike të Superkupës, teksa bardheblutë janë dhe skuadra me më shumë trofe të fituar, 8 të tilla, por dhe finalistja e parë e humbur, kur në vitin 1989 humbi me Dinamon (2-0).

TROFEU “KUJTIM MAJACI” - Gjatë fazës përgatitore, Tirana fitoi trofeun “Majaci”, i organizuar për nder të ish-futbollistit të madh fierak Kujtim Majaci, të ndarë nga jeta pas një ataku kardial.

KUPA “PAVARËSIA” – Flamurtari i Vlorës është fituesi i edicionit të parë të Kupës “Pavarësia”, të zhvilluar sot, më 28 nëntor, në ditën përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kombit shqiptar.
Në këtë turne morën pjesë Flamurtari i Vlorës (Shqipëria), FK Prishtina (Kosova) dhe Shkëndija e Tetovës. Të tri ndeshjet (nga 45 minuta secila) përfunduan me rezultatin 0-0. Flamurtari fitoi me penallti.

KUPA “MBARËKOMBËTARE” - Flamurtari i Vlorës, fituesi i Kupës së Shqipërisë, është fituesi i Kupës Mbarëkombëtare, duke mundur 2-1 në finalen gjithëshqiptare Hysin, fituesin e Kupës së Kosovës. Golat për formacionin vlonjat të drejtuar nga Gugash Magani mbajnë firmën e sllovenit Djukiç, i cili realizoi nga një gol në çdo pjesë loje: 5’ dhe 56’. Për Hysin golin e flamurit e realizoi Gashi (68’). Kupën e dorëzoi presidenti i Federatës së Futbollit te Kosovës, Fadil Vakri.

Debutimi historik i Gramozit

GRAMOZI në Kategorinë Superiore, duke shkatërruar pas kohës shtesë 5-2 Bylisin e Kategorisë Superiore, në një nga ndeshjet më emocionuese të plejaut. Gramozi u nnë “qiellin e shtatë”, midis 12 më të mirëve të Shqipërisë. E realizuar në harkun e 12 muajve, historia e Gramozit përbën një rekord më vete. Statistikat të ofrojnë një panoramë respekti. Në fundmajin e vitit të kaluar, skuadra kolonjare u ngjit në Kategorinë e Parë, duke mbërritur si kampione e Kategorisë së Dytë, pasi mposhti në finale nga gjuajtjet e penalltive Tërbunin e Pukës. Në fundmajin e këtij viti, skuadra Ilir Qirjakos, e katërta më e mirë e Kategorisë së Parë, dhuroi spektakël në impiantin ndërkombëtar “Qemal Stafa”. Gramozi u shfaq me një virtuozitet në versionin “samba”, falë katërshes braziliane Marko dos Santos, Jurandier Oliveira, Leonard Martins, e Da Silva. Aktualisht Gramozi renditet së bashku edhe me Flamurtarin e Skënderbeun në vendet e fundit, me nga 15 pikë secili.

Partizani rrëzohet në Kategorinë e Parë

PARTIZANI, 15 herë kampion i vendit dhe 15 herë fitues i Kupës së Shqipërisë u rrëzua për herë të dytë në historinë 63-vjeçare të klubit më popullor në një kategori më poshtë, në të Parën, pasi humbi më plejof me Kastriotin (0-1) në “Niko Dovana” të Durrësit, teksa anësori Arjan Mali anuloi një gol të rregullt të të kuqve.
Albert Xhani, presidenti i Partizanit, tashmë në Kategorinë e Parë, i ka kërkuar më anë të një letre të posaçme Presidentit të Republikës, Bamir Topit, ndihmën e numrit “1” të shtetit, në vendosjen e drejtësisë në lidhje atë “shkatërrim”, që i është bërë sipas tij, të kuqve, nga gjykimet tendencioze. Partizani ka rënë nga Kategoria Superiore në sezonin 1998-1999 dhe 2008-2009.

BYLIS – Bylisi fitoi në javën e fundit kundër kampionëve të sezonit të kaluar, Dinamos (3-0). Fitorja e formacionit ballshiot pritej, pasi kundërshtarët blu nga kryeqyteti në asnjë rast nuk u impenjuan seriozisht për sfidën me Bylisin, duke udhëtuar në “Adush Muça” me mendjen te pushimet e sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, Bylisi nuk ia doli të mbijetojë pasi humbi 5-2 në ndeshjen plejaut me Gramozin e Ersekës.

LUSHNJA - Edhe pse fitoi përballjen direkte me Partizanin (1-0), Lushnja shoqëroi Elbasanin në “misionin” drejt Kategorisë së Parë. Takimi u mbyll me incidente midis tifozerive kundërshtare Lushnja u rrëzua direkt në Kategorinë e Parë, falë golaverazhit më të keq se Partizani: 27:36, Partizani; 24:35, Lushnja.

ELBASANI – Dy herë kampionët e Shqipërisë ranë direkt në Kategorinë e Parë, pasi u renditën të fundit të Superligë për edicionin 2008-2009. Elbasani në 33 ndeshje grumbulloi 35 pikë, duke pasur këtë bilanc: 7 fitore, 14 barazime dhe 12 humbje. Golaverazhi: 28:39.

KËPUCËT E ARTA

MIGEN MEMELLI – 29-vjeçari Memelli në sezonin e parë të tij me Tiranën fitoi “Këpucën e artë” të këtij sezoni. Sulmuesi bardheblu shënoi 22 gola, më shumë se kushdo tjetër në këtë kampionat. Migeni është dhe golashënuesi më i mirë në Kupë: 8 gola. Memelli mban edhe disa rekorde personale e sezonale gjatë këtij edicioni futbollistik: autor i golit më të shpejtë në kampionat pas vetëm 8 sekondash lojë, shënuesi i pesë golave brenda një ndeshje kupe,

MARKO DOS SANTOS - Sulmuesi i Gramozit, Marko dos Santos, fitoi “këpucën e artë” të Kategorisë së Parë. Bomberi brazilian realizoi 21 gola në 29 ndeshjet e aktivizuara, duke lënë dukshëm pas golashënuesin afrikan të Kastriotit, Xhanuari Ziambo, 14 gola. Dos Santos, një sulmues i shpejtë e më një nuhatje të rallë goli, mund të shndërrohet një garues i fortë për “këpucën e artë” të Superligës.

REKORDI I ABRAHAMIT

Mbrojtësi i Tiranës, nigeriani Abraham Alchevny ka vendosur një rekord unikal në kampionatin shqiptar. Është i pari i huaj që ka fituar katër herë rresht një titull kampion në Shqipëri, dhe për më tepër me tre skuadra të ndryshme: me Elbasanin në sezonin 2005-2006, me Tiranën në sezonin 2006-2007 dhe së fundi me Dinamon në sezonin 2007-2008 e sërish tani me Tiranën (2008-2009).

Verdiktet e
sezonit
2008-2009

KATEGORIA SUPERIORE

Kampione
Tirana

Kupa e Shqipërisë
Flamurtari

U ngjitën në Superligë
Laçi
Skënderbeu
Gramozi
Kastrioti

Ranë nga Kategoria
Elbasani
Lushnja
Partizani
Bylis

KAMPIONËT E SHQIPËRISË

Kategoria Superiore
Tirana

Kategoria e Parë
Laçi

Kategoria e Dytë
Memaliaj

Elis Bakaj, futbollisti i vitit 2009

Elis Bakaj u shpall nga trajnerët e Kategorisë Superiore si lojtari më i mirë i vitit 2009. Sulmuesi i Dinamos, 10 gola këtë sezon, përveç trofeut të modeluar si një këpucë e artë, ka fituar edhe një vend të përhershëm në ekipin kombëtar të futbollit. Në garë për këtë çmim ishin edhe mesfushorët Gjergji Muzaka (Tirana) dhe Igli Allmuça (Dinamo). Në festën gala të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit u dhanë disa çmime. Nderi i futbollit shqiptar: Augustin Kola, Ilir Përnaska. Legjenda e futbollit shqiptar: Lefter Millo, Kujtim Majaci, Agim Murati
Petro Ruci, Pllakatë të ndryshme: Bujar Pregja, Besnik Dule
Jovan Gugu, Agim Qypi, Agim Medja, Edmond Salillari,
Shemsi Zilja, Halit Gega, Fadil Kovaçi dhe Selami Dani

Vdekja aksidentale e Brian Filipit

Sulmuesi shqiptar i Ravenës, Brian Filipi, ndërroi jetë ditën e premte, më 19 shtator, vetëm një muaj pasi kishte mbushur 20 vjeç, më 11 gusht, Filipi mbeti viktimë e një aksidenti rrugor. Në funeralin e mbajtur katedralen e Cervias, e ku morën pjesë shumë banorë të qytetit italian, ish-trajneri i Filipit dhe Ravenës, Xhanluka Aztori, tashmë në drejtimin e Katanis, tha pas ndeshjes Katania-Lacio, teksa mbante veshur një bluzë me mbishkrimin “Ciao Brian”, tha: “Për mua ishte fëmija im. Më ka dhënë shumë nga pikëpamja njerëzore”. I lindur në Lezhë (11 gusht 1989), Brian Filipi militonte prej tre sezonesh te Ravena, që ana e saj e kishte blerë nga Cervia, qyteti edhe ku banonte familja Filipi. Sezonin e kaluar Filipi shënoi në 23 ndeshje, 5 gola. Stadiumi i qytetit të Lezhës, me vendim të këshillit të Bashkisë së këtij qyteti, mori emrin “Brian Filipi”.

28 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›