ShBA: Do të vazhdojmë marëdhëniet me Pakistanin
Zëdhënësi i Departamentit të Shteteve të Bashkuara, Mark Toner në një deklaratë të dhënë për shtyp, ka thënë se SHBA-të mbeten ende të angazhuara për të punuar me Pakistanin, pavarësisht lëkundjeve të vazhdueshme në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Mark Toner tha se sfidat me të cilat përballen Uashingtoni dhe Islamabadi, të tilla si lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit janë tepër të rëndësishme për të dështuar. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë atë që ai e quajti një marrëdhënie më të afërt, më produktive me Pakistanin ushtarakisht dhe politikisht.
Zëdhënësi amerikan i bëri këto komente pasi Pakistani hodhi poshtë gjetjet e një raporti të ushtrisë amerikane të lëshuar të enjten për sulmet ajrore të SHBA-ve më 26 nëntor, në Pakistan afër kufirit afgan, që vrau 24 ushtarë pakistanezë. Raporti fajësoi Shtetet e Bashkuara dhe Pakistanin si dhe mosbesimin mes vendeve.