E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksa e ndikimit në infrastrukturë, më pak para për pushtetin vendor

04/02/2009  Debate në Komisionin e Ekonomisë

Pushtetet vendore do të marrin më pak para nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Me anën e një projektligji, Ministria e Ekonomisë ka parashikuar uljen e taksës për projekte publike që kapin edhe shifra të mëdha. Ky projekt është diskutuar dje në Komisionin e Ekonomisë, ku ka pasur jo pak debate. Në draft është parashikuar ulja me gati 30-fish të taksës së ndikimit në infrastrukturë për projektet e mëdha, duke e çuar atë në 0,1 për qind të vlerës së projektit. “Menduam që ta ulim në 0,1 për qind. E para sepse është bërë një studim gjatë dy viteve të fundit në lidhje me këtë çështje. Kryesisht në këto fusha që janë përcaktuar në projektligj, projektet kanë qenë në vlera qindra milionëshe”, - theksoi përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Debatet kanë shoqëruar shqyrtimin e këtij drafti, madje nga vetë deputetët e Partisë Demokratike. Sipas zotit Aleksandër Biberaj, i cili ka hedhur votën kundër për këtë projektligj, kjo ulje e taksës do të ndikojë në uljen e të ardhurave të pushtetit vendor. “Ju e dini që ka projekte me 1 milion euro me 5 apo 10 milionë. Pushteti lokal mezi i pret këto të ardhura. Janë pasuritë e tyre, pronat e tyre, aq më tepër po të keni parasysh që shumica janë në zona verilindore, të cilat për arsye të ditura, janë të pazhvilluara dhe pa infrastrukturë”, - theksoi në fjalën e tij, Biberaj. Argumentet e dhëna prej tij janë mbështetur edhe nga deputetët e opozitës të pranishëm gjatë debateve. Sipas projektligjit, nga kjo masë uljeje do të përfitojnë vetëm bizneset që ndërtojnë rrugë kombëtare, porte, aeroporte dhe vepra të tjera energjetike. Për objekte të tjera private, si shtëpi apo pallate, taksa mbetet 1 deri në 3 për qind e vlerës kur objekti është jashtë Tiranës dhe 2-4 për qind e vlerës kur ndërtohet në Tiranë.

Sigurimet

Komisioni i Ekonomisë mori në shqyrtim edhe projektligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Në këtë projektligj është parashikuar sigurimi i detyruar edhe për personat e tretë që udhëtojnë me autobus, me tren, me avion. Projektligji është miratuar në qeveri dhe pritet që të kalojë për miratim edhe në komisionet parlamentare për të mbërritur në diskutimin në Kuvend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›