Të ardhurat nga emigracioni priten të preken nga kriza
>Të ardhurat nga emigracioni mbeten të ekspozuara ndaj goditjeve të ambientit ekonomik botëror. Sipas ekspertëve të bankave , ky ekspozim , rrezikon të reflektohet në rënie të të ardhurave nga ky sektor dhe shtrëngim të kushteve të financimit .
Banka e Shqipërisë , në raportin e fundit të saj mbi "Stabilitetin financiar" , bën të ditur se ndikimi i pritur potencial i këtyre faktorëve do të materializohej në një rritje ekonomike më të ngadaltë gjatë vitit 2009 . Sipas BSH-së , një rritje më e ulët ekonomike nuk përkthehet domosdoshmërisht në krizë për Shqipërinë, por është një zhvillim i përkohshëm i diktuar nga faktorë të jashtëm . Duke ju referuar një vrojtimi për tremujorin e tretë të vitit 2008 , rezulton se rreth 26 për qind e familjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët . Sipas BSH-së , shpërndarja gjeografike e familjeve tregon se 59 për qind e tyre jetojnë në zonën rurale dhe diferenca në zonën urbane , duke përftuar respektivisht rreth 66 dhe 34 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët . Ndërkohë , ekspertët bankarë vërejnë se dërgesat nga emigrantët përbëjnë komponentin më të rëndësishëm në të ardhurat mujore të familjes në zonën rurale , duke përfaqësuar rreth 40 për qind të saj .