E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shahin Bejdaj: Do të kandidoj për Partinë Agrare

03/06/2009  Dorëhiqet prefekti i qarkut Fier

FIER- “Dorëheqja ime për shkak të kandidimit në Partinë Agrare Ambientaliste”. Kjo ka qenë dhe deklarata dhënë ditën e djeshme mbi dorëheqjen nga posti që ai mbante prej më shumë se 3 vjetësh prefekti i qarkut Fier, Shahin Bejdaj. Në një deklaratë për shtyp dhe takim me gazetarët lokalë dhe qendrorë prefekti i qarkut Fier, Shahin Bejdaj, është shprehur se kjo dorëheqje ka ardhur për shkak të kandidimit të tij për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Kodit Zgjedhor. Dorëheqja e prefektit të qarkut Fier, Shahin Bejdaj, është e para e një titullari në vend. “Siç e dini, ka thënë në prononcimin për shtyp prefekti i qarkut Fier, Bejdaj, unë kandidoj për Partinë Agrare Ambientaliste për qarkun Fier dhe në zbatim të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, unë kam kërkuar dorëheqjen time të parevokueshme si prefekti i qarkut Fier. Gjithashtu kam edhe detyrimin moral se duke qenë në këtë detyrë dua të largoj çdo marrëdhënie, ose çdo keqkuptim për të ndihmuar në rezultatet zgjedhor për të qenë si gjithë kandidatët e tjerë të barabartë, pavarësisht se çfarë posti kam pasur më parë. Fushata dua të jetë e ndershme dhe e barabartë për të gjithë”. Ndërkohë Bejdaj është shprehur se gjatë ushtrimit të detyrës së tij në postin e prefektit është përmbajtur dhe ka zbatuar vetëm ligjin dhe ka qenë gjithnjë në shërbim të komunitetit fierak. Shahin Bejdaj është emëruar në postin e prefektit për qarkun e Fierit para tre vitesh. Shpeshherë atij i është dashur të përballet në lidhje me shumë vendime me kryebashkiakun e Fierit, i cili është i zgjedhur nga forcat e majta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›