E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Për çdo moskorrektësi cilido taksambledhës do të përgjigjet para ligjit"

03/06/2009  Berisha kritika të ashpra kryebashkiakut Rama për taksat ndaj biznesit të vogël

Kryeministri Sali Berisha është shprehur me tone tepër kritike ndaj punës dhe sjelljes së Bashkisë së Tiranës dhe kreut të saj Edi Rama në raport me tregtarët e vegjël. Kreu i qeverisë ka shfrytëzuar një takim me tregtarët e tregut çam, i cili gjendet në qendër të kryeqytetit, ku vuri në dukje në rëndësinë e madhe të biznesit të vogël në zhvillimin ekonomik të një vendi. Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, përfaqësues të biznesit të vogël në këtë treg shprehën shqetësimin për rritjen e taksave vjetore nga Bashkia, duke theksuar se këto taksa po rëndojnë dhe po bëjnë shumë të vështirë biznesin e tyre. Ata treguan se në një takim të zhvilluar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama i kishin kërkuar atij mbajtjen e premtimit për ndërtimin e këtij tregu me të gjithë elementet e nevojshme, por prej tij kishin marrë përgjigje negative dhe arrogante. Berisha theksoi se arroganca është tipari më i keq i një zyrtari dhe i siguroi biznesmenët se do të kenë mbështetjen totale të qeverisë së tij për sistemimin e tregut dhe ndërtimin e rrugës në këtë treg. Kryeministri Berisha, duke folur mbi ngritjen e taksave nga Bashkia e Tiranës, tha se në dhunim të të gjitha ligjeve kjo Bashki shumëfishoi taksat për biznesin e vogël nga 2 deri në 4 herë. Por kreu i qeverisë theksoi se qeveria nuk e lejoi këtë gjë dhe vendosi me ligj se nuk mund të paguhet nga biznesi i vogël asnjë qindarkë më shumë se 10 për qind e taksës së përgjithshme. “Për çdo moskorrektësi me këtë ligj kryetari i Bashkisë dhe cilido taksambledhës që do ta shkelë këtë vendim, do të përgjigjet para ligjit”, - deklaroi ai. Berisha tha se autonomia e pushtetit vendor është shumë e nevojshme, por kryebashkiaku i Tiranës nuk duhet të abuzojë me këtë gjë dhe të dyfishojë apo të katërfishojë taksat. “Kjo e detyroi qeverinë të ndërhyjë me një ligj të veçantë, duke sanksionuar se nuk ka taksë për ju mbi 10 për qind, taksë e përcaktuar nga qeveria me ligj”, - tha Berisha. Kryeministri Berisha ka nënvizuar reformat e rëndësishme fiskale. “4 vjet më parë premtuam përgjysmimin e taksës kombëtare për këtë biznes dhe e realizuam atë, si një vendim shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm”, - tha ai. Shefi i ekzekutivit nënvizoi se ishte pikërisht politika e taksave të ulëta ajo që e ruajti Shqipërinë të paprekur nga kriza botërore ekonomike dhe që bëri që ndërkombëtarët të pohojnë se Shqipëria është e para për rritjen ekonomike në Europë.

Pakënaqësitë

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, në takimin me kreun e qeverisë tregtarët kanë thënë se në një takim të zhvilluar me kreun e Bashkisë së Tiranës Edi Rama i kishin kërkuar atij mbajtjen e premtimit për ndërtimin e këtij tregu me të gjitha elementet e nevojshme, por prej tij kishin marrë përgjigje negative dhe arrogante.

Taksa e tabelës

Kryeministri Berisha ka bërë me dije gjatë takimit të ditës së djeshme me tregtarët se do të zgjidhë përfundimisht problemin e taksës së tabelës. Shefi i ekzekutivit ka nënvizuar se do të përgatitet një ligj i posaçëm, i cili do të sanksionojë çmimin e ri të kësaj takse. Berisha theksoi se në mënyrë absolute ajo nuk do të jetë mbi 1 euro.

Rruga e re

Kryeministri Berisha ka deklaruar se qeveria që drejton është gati të financojë ndërtimin e rrugës që përshkon tregun çam. “I kërkova kryetarit të minibashkisë suaj, zotit Bogdani, të bëni bashkërisht projektin dhe ne do ta financojmë ndërtimin e këtij tregu, të cilin ju e meritoni plotësisht”, - tha Berisha në takimin me tregtarët e tregut çam.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›