E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Taksat nuk do të ndryshojnë

03/06/2009  Kreu socialist premton mosndryshimin e sistemit aktual fiskal

“Do ta përballojmë krizën në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar”

Partia Socialiste nesër në qeverisje nuk do të ndryshojë sistemin aktual fiskal. Njëkohësisht, nëse kjo parti do të jetë fituese e garës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, premton se nuk do të këtë një rritje taksash. Ky ishte qëndrimi më i fundit i deklaruar nga kreu socialist Edi Rama gjatë publikimit të programit të ri qeverisës të PS-së gjatë një interviste televizive. Kështu, duke qëndruar pikërisht tek ekonomia shqiptare dhe në atë çfarë sjellë për të ky program, Rama i mëshoi fort idesë së mosndryshimit të sistemit aktual fiskal, por nga ana tjetër premtoi ndryshimin e mënyrës administruese të tij. “Do të ndryshojmë dhe do ta bëjmë të qëndrueshëm sistemin e administrimit fiskal”, - u shpreh ai lidhur me këtë çështje. Sipas tij, PS-ja nuk do të rrisë taksat, ashtu sikurse ka vepruar qeveria e Kryeministrit Berisha. Njëkohësisht, duke mos anashkaluar krizën ekonomike, kryetari i PS-së shpalosi pikat kyçe ku do të përqendrohet puna e qeverisjes socialiste me qëllim krijimin e një ekonomie të qëndrueshme në vend. “Programi nuk është elektoral për të marrë votën, por për të qeverisur, ku kemi llogaritur dhe burimet, duke ndërtuar dhe modernizuar makinën qeverisëse. Ne do të ndërtojmë shtetin si një makineri, e cila ecën në shërbim të të gjitha aspekteve. Do ta rihapim programin e fondit monetar. Jemi të gatshëm ta përballojmë krizën qoftë me një paketë antikrizë, që e kemi gati, qoftë dhe me bashkëpunimin e ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, - deklaroi Rama gjatë fjalës së tij. Gjithashtu, duke qëndruar në një nga shtyllat kryesore të programit ri qeverisës, që konsiston në një politikë të re për bujqësinë. Do të krijohet Ministria e Zhvillimit Rural, e cila do të marrë fondet publike në dore dhe do t’i vërë në dispozicion për transformimin e fshatit shqiptar nga një jetesë mesjetare në një hapësirë zhvillimi, që do të thotë se në fshat jetojnë qytetarë të barabartë të Republikës së Shqipërisë”, - premtoi Rama. Madje, në forcimin e mëtejshëm të këtij sektori socialistët nesër në pushtet përmes programit të tyre qeverisës premtojnë heqjen e taksave për çdo biznes të ri agrar, kjo të paktën për tre vjetët e parë, shtuar këtu dhe heqjen e akcizën së naftës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›