E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat me pistoletë, plagoset i riu

Qëllon me pistoletë një 26-vjeçar nga Elbasani dhe më pas largohet duke i shpëtuar policisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:45 të së martës, në lagjen "Syrja Dylgjeri" pranë një dyqani me pjesë këmbimi, pronë e Shkëlzen Allës. Mësohet se Andon Mahmuti, 44 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri 26-vjeçarin Elton Baushi, me të cilin jetonte në të njëjtën lagje. I riu është qëlluar pa paralajmërim nga 44-vjeçari, i cili është larguar menjëherë nga vendngjarja. Fatmirësisht Baushi është plagosur lehtë në krah nga një plumb dhe është dërguar menjëherë për në spitalin e qytetit, kur pasi ka marrë ndihmën e parë është dërguar për në shtëpi. Grupi hetimor i ngritur në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit po punon për zbardhjen e shkaqeve të atentatit të ndodhur mbrëmjen e së martës. Burime nga policia bëjnë të ditur se deponimet e marra nga 26-vjeçari nuk kanë ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Ai ka deklaruar se ka mundur të njohë dhe të identifikojë agresorin e tij, por nuk arrin të kuptojë se pse 44-vjeçari ka qëlluar mbi të. 26-vjeçari Baushi ka deklaruar se nuk ka pasur kurrë asnjë lloj kontakti apo konflikti me të, as personal dhe as familjar. Ndërkohë policia deklaron se Mahmuti është person me precedentë penalë, pasi ai ka qenë dënuar më parë për vrasje. Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›