E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhet një tjetër kishë në Korçë

Një tjetër kishë ortodokse vidhet në Korçë. Pre e hajdutëve këtë radhë ka rënë kisha e Shën Mërisë në fshatin Mborje, që ndodhet 5 kilometra larg qytetit. Ngjarja mendohet se ka ndodhur gjatë orëve të natës, nga persona të cilët mbeten ende të paidentifikuar për uniformat blu lokale. Shuma e vjedhur nga arka ku hidhnin lekët besimtarët ortodoksë, nuk është konstatuar ende, megjithëse mendohet se bëhet fjalë për një shumë jo të madhe. Vjedhja është konstatuar në orët e mëngjesit nga prifti i fshatit, i cili sapo ka parë derën e shqyer dhe arkën bosh ka sinjalizuar policinë, që ka shkuar menjëherë në vendngjarje. Burime nga policia bëjnë të ditur se mënyra e vjedhjes është e njëjtë me atë të kishës së Shën Thanasit. Pasi është thyer dryni i derës së jashtme me mjete të forta, autorët kanë hyrë brenda, ku i janë drejtuar arkës së vetme që ndodhej në këtë kishë për grumbullimin e parave që dhurohen nga besimtarët. Autorët e vjedhjes janë larguar nga vendi i ngjarjes pa u vënë re. Policia ka deklaruar se nuk ka ende emra konkretë për ngjarjen, ndërkaq që për rastin e vjedhjes së kishës së Shën Thanasit, e ndodhur gjatë orëve të para të ditës së hënë, ka deklaruar se ka një person të dyshuar dhe po punohet për kapjen e tij. Policia dyshon se vjedhja e të dyja kishave është bërë brenda një dite edhe pse nuk pohohet se të dyja vjedhjet të kenë të njëjtën autorësi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›