E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shala vazhdon takimet në SHBA

Nga Express më 04 shkurt 2011 në ora 18:01

Ministri në largim i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala gjatë ditës së katërt të qëndrimit në SHBA ka pasur takime me zyrtarë të institucioneve të rëndësishme dhe me interes për Kosovën.

Zyra për informim e MEF-it bëri të ditur se Shala fillimisht ka takuar drejtoreshën menaxhuese në Bankën Botërore, Ngozi Okonja Ivalla, mandej zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, drejtoreshën për regjionin e Evropës Juglindore, Jaine Armitage, drejtorin e Ex-Im Bankës, Bijan R. Kian dhe zëvendësdrejtorin menaxhues të kompanisë General Elektrics, Skip Ëarner.

Bëhet e ditur se takimet në Bankën Botërore kryesisht kanë qenë të fokusuara në fushën e bashkëpunimit në projektet në energjetikë, projektet e mbështetjes buxhetore nga ky institucion si dhe modalitete tjera të bashkëpunimit.

Gjatë takimit me misionin e FMN-së janë diskutuar çështjet që lidhen me programin e nënshkruar në funksion të sigurimit të vazhdimit të këtij programi sipas marrëveshjes së arritur.

“Ekziston një gatishmëri që në momentin kur të formohet Qeveria e re misioni nga FMN do të vizitojë Kosovën në mënyrë që buxheti për vitin 2011t të jetë në harmoni me këtë program”, njofton MEF.

Ndërkaq Shala takime të ndara ka zhvilluar edhe me përfaqësuesit e Ex-Im Bankës, ku është shtruar nevoja e krijimit të një bashkëpunimi në të ardhmen, i cili do t’i mundësonte kësaj banke të financoj projekte të rëndësishme në Kosovë.

Një takim është zhvilluar edhe me përfaqësuesit e Kompanisë General Electrics, ku është shprehur interesimi i kësaj kompanie për investime në Kosovë, sidomos në fushën e energjisë, transportit, shëndetësisë, etj.

Ministri në largim i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, po ashtu ka pasur takime edhe me Rick Holtzapple nga Këshilli për Siguri Kombëtare i ShBA-ve, dhe Christopher Smart nga Thesari Amerikan si dhe me personalitete të tjera të shtetit amerikan.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›