E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çota kthen në gol gafën e Egbosë, Teuta i bashkohet Tiranës në krye

U luajt në Niko Dovana të Durrësit ndeshja përmbyllëse e javës së katërt të superligës, mes Teutës dhe Bylisit. Kjo sfidë, që ka filluar në orën 18:00, ka dhuruar luftë të fortë sportive, dyluftime të ethshme dhe dëshirë të madhe për fitore nga të dyja palët. Djemtë e detit luanin në shtëpi, kështu që i kanë shkarkuar të gjitha bateritë në funksion të tri pikëve, të cilat do të përktheheshin me kreun e renditjes, ndërsa ballshiotët synonin të vijonin ecurinë pozitive në këtë kampionat. Në të vërtetë, në fushën e lojës nuk janë parë diferencat, sepse lojtarët e Bylisit i janë kundërpërgjigjur me dinjitet skuadrës vendase. Madje, në pjesën më të madhe të ndeshjes, mallakastriotët kanë qenë më lart se vendësit, duke krijuar edhe raste për shënim. Por ka triumfuar në fund strategjia e Hasan Likës, që përmes kundërsulmit ka gjetur edhe golin e fitores, me anë të sulmuesit Mirel Cota, në minutën e 72-të. Ky i fundit është ndihmuar të realizojë nga një gafë e pafalshme e portierit Egbo, që i ka shpëtuar topi nga duart në një pozicion aspak të vështirë, duke ia dhuruar kundërshtarit, që e ka shtyrë në rrjetën e Bylisit. Ky gabim i portierit i ka kushtuar shumë Bylisit, që ka zhvilluar një lojë pozitive dhe ishte shumë pranë barazimit, minimalisht. Pas golit të Cotës janë munduar të reagojnë ballshiotët, por e kanë pasur të pamundur të çajnë prapavijën e përforcuar tashmë të Teutës. Kësisoji, Bylisi pëson humbjen e parë në kampionat, në Durrës, ndërsa Teuta merr 3 pikë të tjera, që e ngjitin atë në kuotën e 9 pikëve, aq sa ka edhe Tirana, në vendin e parë të klasifikimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›