E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Pres rritjen vjetore nga Instituti i Statistikave

09/01/2009  Kreu i Qeverisë jep argumentet

Rritja vjetore ekonomike për 2008-n do të dalë nga INSTAT. Kryeministri Sali Berisha ka numëruar argumentet pse nuk është dakord me rritjen ekonomike që japin institucionet ndërkombëtare, duke ju referuar edhe debatit të fundit me ministrin e Financave Ridvan Bode. “Unë pres që Instituti i Statistikave të japë rritjen vjetore ekonomike. Natyrisht, parashikimet janë të pranueshme, sepse për të parashikuar vitin 2009, ose për të përcaktuar buxhetin dhe politikat e vitit të ardhshëm, duhet të bazohesh mbi parashikimin dhe jo të presësh rezultatin vjetor, i cili del nga muaji mars”, - tha Kryeministri. Sipas tij, kjo çështje ka qenë një diskutim i vazhdueshëm midis FMN-së dhe Qeverisë. “Duke mirëkuptuar plotësisht parashikimin, mendoj se është në detyrimin e të gjithë faktorëve kombëtarë e ndërkombëtarë, që këtë t’ia atribuojmë Institutit Kombëtar të Statistikave. Kjo sepse është e vërtetë që ka një formalizim të ekonomisë, por është e vërtetë që ka një rritje të bizneseve të reja, me rreth 4 mijë biznese për vitin 2008. Është e vërtetë që ka një formalizim të ekonomisë, por ka rritje të ndjeshme të eksporteve. Është e vërtetë që viti 2008 ndryshon qartësisht nga viti 2007, por ka dy të vërteta të tjera; e para, unë nuk kam qenë dakord as për rritjen ekonomike të vitit 2007 dhe e dyta, viti 2008 ka qenë viti në të cilin nuk ka munguar energjia elektrike në ndërmarrjet shqiptare”, - theksoi Berisha.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›