E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Festat më të shtrenjta për shqiptarët

09/01/2009  Në dhjetor inflacioni 0.9% më i lartë

Familjeve shqiptare u kanë kushtuar mjaft shtrenjtë festat e fundvitit. Çmimet e larta kanë sjellë edhe një rritje të inflacionit, sipas statistikave të INSTAT-it. Gjatë muajit të kaluar, inflacioni arriti në 2.2% duke shënuar një rritje prej 0.9% në krahasim me muajin nëntor. Kryesisht, mallrat që kanë ndikuar rritjen në këtë periudhë kanë qenë ato të grupit “ushqime dhe pije joalkoolike”, të cilat kanë shënuar një rritje prej 2.4%. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 14.2 % vërehet në nëngrupin zarzavate përfshirë patatet. Po kështu edhe produkte të tjera të domosdoshme për tavolinën e festave kanë pasur rritje të çmimit. “Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të kastravecëve, specave dhe patëllxhanëve me mbi 50%, lulelakrës me 22.0%, domateve me 20.6%. Indeksi në nëngrupin "fruta" shënoi një rritje prej 7.5%, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të bananeve me 5.7%, dardhave me 4.9%, mollëve me 4.9%, kivit me 3.6%”, - thanë ekspertët e INSTAT-it. Por çmimet e disa frutave të tjera pësuan ulje gjatë muajit dhjetor, si portokallet me 2.8 për qind, limonët me 1.6%, mandarinat me 0.5%. Sipas INSTAT-it, indeksi i grupit "pije alkoolike dhe duhan" ishin 0.8% më të shtrenjta, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike u rritën me 1.6%. Por ndërsa veshjet dhe këpucët kanë pasur rritje të lehta, edhe grupi “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji" shënoi një rritje prej 0.4%. Rritja e çmimit të druve të zjarrit ishte 3.0% dhe e gazit të lëngshëm 0.4%. Çmimet e transportit u ulën me 2.9%, sipas INSTAT-it, si rezultat i uljes së çmimit të naftës me 11.6% dhe benzinës me 12.4%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›