E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: Bashkia e Tiranës ka kapacitet për kredi të mëdha

Eduart Shalsi Tiranë, 10 Janar, 14:18, NOA - Bashkia e Tiranës, me anë të nënkryetarit të saj, Eduart Shalsi, ka reaguar sërish sot në lidhje me projektin e Unazës së Madhe, që Ministri i Transporteve e kërkoi dje, që ti vihej qeverisë në dispozicion projekti i saj.

“Kemi disa ditë që po dëgjojmë një refren që po bëhet bajat, lloj lloj xhevairesh të servirura si argumente, herë nga goja e kryeministrit Berisha dhe herë nga ajo Ministrit të Punëve Publike, lidhur me Unazën e Madhe të Tiranës”, tha sot në një komunikim me mediat nënkryetari Shalsi.

“Thonë se Bashkia e Tiranës nuk ka kapacitetet për ta bërë. Dëgjuam Kryeministrin Berisha të fliste edhe për aftësinë kredimarrëse të Bashkisë së Tiranës, pa e pasur idenë për ato që thoshte.

Prej vitesh, tashmë ne i nënshtrohemi analizave financiare nga institucione serioze financiare ndërkombëtare, siç janë Banka e Këshillit të Europës, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mbi bazën e të cilave jemi kredituar dhe kemi financuar projekte të ndryshme si ai i shkollave, rrugëve dhe banesave sociale.  

Edhe për projektin e Unazës së Madhe ka një analizë financiare prej 171 faqesh, e cila është bërë nga një studio e huaj të cilën e ka kontraktuar BERZH dhe mbi bazën e të cilës ne kemi marrë miratimin paraprak. Në këtë analizë është arritur konkluzioni se Bashkia e Tiranës ka kapacitet të thithë një kredi edhe më të madhe se ajo që nevojitet për këtë segment të Unazës së Madhe”, tha ai.

“Po i nis një kopje Kryeministrit dhe Ministrit (i sigurt se nuk do ta lexojnë, pasi edhe po e lexuan nuk do të kuptojnë gjë; ata mund të kenë kohë për të humbur, ne jo), duke i parashtruar edhe njëherë kërkesën tonë që të përfundojnë procesin e shpronësimeve që është detyra e tyre ligjore dhe të mos zgjaten me marifete politike që s’kanë asnjë lidhje me Unazën, të cilën ne do ta përfundojmë në vitin 2011, përfundoi Eduart Shalsi.

c.a/NOA  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›