E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shamata: Sistemi meritë-preferencë imun ndaj korrupsionit

TIRANË- Zëvendëministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, në kuadër të procesit të Maturës Shtetërore, e vlerësoi sot sistemin 'meritë-preferencë' të imunizuar ndaj korrupsionit në fushën e pranimeve në shkollat e larta.

"Ky sistem është imun karshi çdo ndërhyrje nga jashtë, sepse së pari është elektronik dhe së dyti, qëllimi i ndërtimit të tij është mënjanimi dhe shmangia e korrupsionit për hyrjen në shkollën e lartë",- tha zv/ministri Shamata në një komunikim me mediat.

Ai bëri thirrje që të interesuarit të mos bien pre 'e premtimeve' për regjistrimin në institucionet e larta arsimore, pasi sistemi "meritë-preferencë" është i mbrojtur karshi çdo lloj ndërhyrje apo ndikimi nga jashtë.

Duke i’u referuar publikimit dje të 'Librit të Transparencës' nga Ministria e Arsimit, Shamata tha se të dhënat e përfshira në të janë gati të përpunohen për të shkuar drejt shpalljes më datë 11 shtator të listave paraprake të konkurentëve.

"Ata persona që janë shpallur fitues në preferencën e parë do të mund të regjistrohen pranë sekretarive të universiteteve nga data 12 deri më 18 shtator. Ndërsa, më datë 23 shtator pas përpunimit të të dhënave, do të shpallen dhe rezultatet përfundimtare për kandidatët fitues",- bëri të ditur zv/ministri i Arsimit.
(atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›