E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama të tërhiqet, të japë konsensus në Këshillin bashkiak”

 

BLEDAR HOTI

Ish-kryetari i bashkisë Albert Brojka, i kërkon Edi Ramës që të tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe të kërkojë konsensusin në Këshillin bashkiak për buxhetin e ri të metropolit shqiptar, Tiranës. Zhvillimin e zgjedhjeve për Këshillin bashkiak në rast se nuk miratohet buxheti i ri, Brojka e cilëson si një destabilizim, pasi jemi 5 muaj larg zgjedhjeve të përgjithshme.
Z. Brojka, si ish-kryetar i Bashkisë si i keni ndjekur debatet për buxhetin e bashkisë së kryeqytetit. Cili është mendimi juaj për këtë përplasje mes partive politike dhe Edi Ramës?
Kam ndjekur me vëmendje pasi vetë ish-detyra ime ma kërkonte të mos rrija indiferent. Më ka bërë shumë përshtypje me thënë të vërtetën, sepse buxheti i një bashkie është vendimi themelor që mund të merret nga kryetari i bashkisë dhe nga Këshilli bashkiak. Kur ai hidhet poshtë është me të vërtetë një kontradiktë, një ngërç që mban peng një qytet dhe investimet e tërë qytetit. Kështu që për mua ka pasur rëndësi dhe nuk mund të rrija indiferent në këtë situatë. Janë bërë disa vërejtje për buxhetin që janë paraqitur ndaj kryetarit të Bashkisë në Këshillin bashkiak, të cilat konsistojnë në paraqitjen e një buxheti më të detajuar dhe më transparent në kuptimin, që të jetë i qartë sa janë shumat që do të investohen dhe në cilat zëra dhe pika do të investohen. Mendoj që nuk është një kontradiktë që nuk mund të kalohet. Besoj se mund të kalohet dhe çelësin e kësaj kontradikte do ta zgjidhë toleranca dhe këtë ia kërkoj në radhë të parë kryetarit aktual të Bashkisë.
Ndërsa ende nuk po negociohet mes partive për përmirësimin e buxhetit e metropolit shqiptar?
Kjo ishte rruga normale që mund të ndiqet, por në fakt nuk po ndiqet një rrugë e tillë. Shikoj që reagimi i kryetarit të bashkisë është mjaft kontradiktor, por të paktën në parimet e mia personale nuk puqet, por as me parimet e ligjit. Ai menjëherë iu drejtua popullit, “masave të gjëra, punonjësve” duke thënë se është një politikë e vjetër, që po mban peng buxhetin dhe pa sqaruar se cila është kjo lloj politikë e vjetër. Ndoshta mund ta ketë për aleancën PD-LSI, që mund të jetë bërë në Këshillin bashkiak dhe që kanë bërë, që Edi Rama të mos ketë maxhorancën e votave në Këshillin bashkiak. Është fare normale që LSI-ja si forcë politike të ketë vërejtjet e veta dhe të mbrojë dhe të kërkojë përmirësimin e buxhetit, pasi kjo parti drejton në Tiranë dy njësi bashkiake 6 dhe 9. Kryetari i bashkisë duhet të përpiqej të gjente maxhorancën në Këshillin bashkiak. Nëse ka humbur LSI-në, të negocionte me ndonjë forcë tjetër, ose ta kthente sërish LSI-në në koalicion, ta bindte dhe ta kishte ashtu sikur e kishte në koalicion përpara se të fitonte zgjedhjet lokale. Nuk ka kërkuar as njërën e as tjetrën, nuk ka kërkuar as të negociojë me LSI-në, as të negociojë me PD-në, se mund të bëjë fare mirë aleancë, por i është drejtuar direkt masave të popullit dhe u thotë se “ka një politikë të vjetër që nuk do të miratojë buxhetin”. Në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor”, është e shkruar qartë se buxhetin e miraton Këshilli bashkiak me shumicë votash. Nuk thotë se nëse këshilli e refuzon, i drejtohemi popullit e marrim votën e popullit etj. Këto janë mendësi të vjetra komuniste. Dikur, kur komunistët kishin divergjenca me njëri-tjetrin dhe thoshin hajde të ulemi “gju me gju me popullin” e të diskutojmë. Kjo ndodhte sa herë që kishin kontradikta mes tyre. Kjo është politikë e vjetër që kërkon Edi Rama. Politika moderne është tolerancë, ekuilibër, demokraci. Ai duhet ta kërkojë maxhorancën brenda Këshillit bashkiak, të negociojë me partitë.
A besoni se do të ketë një tërheqje nga kryetari i bashkisë, në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje për Bashkinë e Tiranës?
Duhet të ketë një tërheqje, pasi edhe unë e shikoj nga vetë zhvillimet rreth buxhetit të Bashkisë së Tiranës, më duket se ai ka ngelur vetëm bashkë me stafin e tij. E ka orientuar keq edhe me stafin e tij, e ka politizuar keq dhe ata po flasin po me gjuhën e tij. Kurse të gjitha forcat politike të tjera, të gjithë thonë se duhet të negociojmë, e kam fjalën qoftë për Kryeministrin, qoftë për kryetarët e njësive bashkiake. Pra, ai duhet të tërhiqet, sepse nuk ka rrugë tjetër. Përndryshe, deri në tre muaj, në rast se nuk miratohet buxheti, atëherë shkrihet Këshilli bashkiak dhe kalohet në zgjedhje të reja. Imagjinoni tani të kalosh në zgjedhje të reja për Bashkinë e Tiranës, kur jemi në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Kjo do të kërkonte shumë para dhe do të krijonte një lloj destabilizimi, ku vëmendja do të përqendrohej te zgjedhja dhe do të lihen pas detyrat e tjera për shërbimet e qytetarëve. Më kryesorja mendoj që kryetari i bashkisë ka mundësi të humbasë maxhorancën, pasi nuk do ta ketë me vete PD-në dhe LSI-në dhe ka mundësi direkt pas konstituimit të këshillit të ri, të realizohet një votëbesim të kryetarit të bashkisë, pasi nuk ka maxhorancën për votimin e buxhetit, ai nuk mund të qeverisë. Unë mendoj se nuk mund të shkohet në një krizë të tillë gjersa të bëhen zgjedhjet në Këshillin bashkiak, kryetari i bashkisë është i detyruar të tolerojë.
Ju vetë kur drejtonit Bashkinë e Tiranës keni përjetuar situata të tilla?
Nuk kam përjetuar situata të tilla. Nuk e them për krenari dhe për mburrje, por unë i kam marrë votat e vetë socialistëve. Unë kam qeverisur në vitet 1997-1998, ku PD-ja kishte humbur maxhorancën në Këshillin bashkiak, për vetë kohën atëherë. Duke u zhveshur politikisht në atë kohë arrita t’i marr disa herë edhe votat e socialistëve. Kjo gjë nuk po ndodh, por me sa shoh po ndodh e kundërta. Edi Rama, erdhi si kryetar bashkie nga shoqëria civile dhe bëri bujë për të treguar shiko se “për herë të parë e majta shqiptare po paraqet një njeri pa parti, nga shoqëria civile”. Dhe më të vërtetë ishte një zgjedhje e goditur, sepse po e depolitizonin që përpara postin e kryetarit të bashkisë, duke treguar se i përket të gjithë qytetarëve. Por ç’ndodhi? Ai me t’u bërë kryetar bashkie e përdori atë lloj posti për t’u bërë kryetar partie. Dhe tashti ai është tërësisht një post i politizuar. Edhe unë po të isha si ai do të bëja një buxhet në shërbim të socialistëve, për minibashkitë ku drejtohen nga të zgjedhurit e PS-së. Sepse edhe vetë elektorati socialist do t’ia kërkonte pasi do t’i thoshte: “të dhamë votën, tani na jep investimet në minibashkitë socialiste”. Ai është në të vërtetë në kontradiktë të madhe. Kontradikta e kryetarit të bashkisë me kryetarin e PS-së dhe kontradikta e kryetarit bashkisë me këshillin bashkiak, që i përket shumë forcave politike. Edi Rama ka të vetmen zgjidhje tolerancën. Ai duhet të tolerojë, të negociojë dhe të merret vetë vesh me Këshillin bashkiak.
Përplasja e fundit mes qeverisë dhe bashkisë është për planin urbanistik të Tiranës. Ka mbi 7 vjet dhe ende nuk është miratuar një plan i tillë. Cili është mendimi juaj?
Është një pyetje me vend. Jo vetëm plani urbanistik, por unë pashë në media se ka një kontradiktë edhe me unazën e Tiranës, që lidhet gjithashtu me planin urbanistik. Siç ju thashë është posti i kryetarit i të bashkisë, që për mendimin tim është një post i depolitizuar dhe nuk duhet të jetë i tillë. Është ky post i tillë i kryetarit të bashkisë, që ngatërrohet me kreun e PS-së. Edhe në qoftë planin urbanistik të Tiranës e ka kryesisht kryetari i bashkisë, edhe ai do ta orientojë sipas interesave të partisë së tij, ose të tija personale. Por ky plan urbanistik i miratuar, ose i projektuar nga kryetari i bashkisë kërkon miratim nga KRRTRSH-ja që drejtohet nga kryeministri, ku dominon PD-ja. Aty ka një opozitë të fortë dhe nuk mund ta lejojnë që kryetari i Bashkisë së Tiranës, që është kryetar i PS-së, të miratojë një plan urbanistik sipas interesave të socialistëve. Nëse nuk realizohet një gjë e tillë, atëherë kryetari i bashkisë mund të dalë sërish të thotë se “politika e vjetër nuk po miraton planin urbanistik”. Kryetari i bashkisë po vjen e po vjen vërdallë me atë plan urbanistik dhe nuk e miraton ende. Premtoi se do ta bënte për 100 ditë, pastaj tha për gjashtë muaj, u bënë nëntë vjet edhe ai ende nuk e ka çuar për miratim. Dhe siç duket do ta vonojë akoma, sepse e di se po ta çojë atje, ose do t’i dalin ato manovrat e veta politike që po bën për planin urbanistik, ose e ndjen që atje nuk do t’i miratohet dhe e vonon qëllimisht. Ose do të presë zgjedhjet e përgjithshme se ndoshta, ndoshta e merr vetë maxhorancën në KRRTRSH –në dhe e bën po vetë si bashki dhe e miraton po vetë si kryeministër.
Meqë jemi në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, si e shikoni situatën politike në vend. Edhe pse jeni pak pjesëmarrjes aktiv në politikë, cila forcë mund të drejtojë përsëri vendin për katër vitet e ardhshme?
Ndoshta jam pak larg pyetjes tuaj, por do të përpiqen të jem realist. Gjithnjë një qeveri që ka qeverisur vendin për katër vjet është normale që të ketë një farë konsumi. Që të qeverisësh katër vjet ke pika të shumta ku mund të atakohesh. Zakonisht në eksperienca të shumta botërore është e vështirë të mbash një mandat të dytë. Por që të jetë e vështirë të mbash një mandat të dytë duhet të kesh një opozitë të fortë, konstruktive, e cila e ka treguar veten, që mund të qeverisë më mirë se ajo e mëparshmja. Unë mendoj se Edi Rama nuk ka paraqitur një opozitë të tillë, konstruktive, që të jetë një alternativë konkurruese me atë të Berishës dhe PD-së. Madje, po t’i drejtohem atyre që kanë thënë vetë disa drejtues socialistë, vendi pothuajse nuk ka opozitë. Nuk e ka luajtur rolin e opozitës, ose më mirë të themi ia ka zbehur tej mase rolin e saj. Kështu që nuk mund ta paraqes dot opozitën e Edi Ramës, si një opozitë alternative për marrjen e pushtetit. Njëkohësisht, kur i bëhet analiza një qeverie për katër vjet i bëhen dhe arritjet përveç konsumit që mund të ketë. Nuk mund të mohoj dot arritjet e qeverisë Berisha siç është hyrja në NATO. Do, s’do, ndodhi në periudhën e qeverisjes së tij dhe Berisha do ta tundë fort atë gjatë fushatës se “Shqipërinë e futa unë në NATO”. Nuk mund të mohoj asociimin me BE-në se rruga Durrës-Kukës është një nga investimet kryesore dhe ka të bëjë me zhvillimet kryesore në Ballkan por edhe në kombin shqiptar. Nuk mund mohohet se u fitua pavarësia e Kosovës, vetë politika e jashtme e qeverisë Berisha ishte e tillë pro kësaj pavarësie. Këto janë arritje dhe kryeministri aktual ka argumente në forta në dorë për të kërkuar një mandat të dytë. Edhe unë shoh se është më pranë mandatit të dytë. Nuk e ka luajtur si duhet rolin e opozitës Edi Rama. Më vjen keq, por PS-ja mund të kishte drejtues të tjerë, që mund të bënin shumë më mirë opozitën dhe të ishin pretendentët për të marrë drejtimin e shtetit. Kështu që më duhet të them se Edi Rama mund të dalë i humbur nga këto zgjedhje. Por kjo ama me një përjashtim. Në qoftë se Rama do të kërkojë aleanca të forta brenda së majtës, sidomos me LSI-në, atëherë me të vërtetë e majta do të bëhet një alternativë serioze. Në qoftë se Edi Rama dhe Ilir Meta do të hyjnë të ndarë në zgjedhje, shanset për t’i fituar ato do të jenë për Sali Berishën.
Ju personalisht keni ndonjë ofertë për t’u përfshirë në politikë në rangjet e larta, apo nuk do të angazhoheni?
Unë jam futur, varet si e kuptoni ju hyrjen në politikë. Unë dikur kam qenë kryetar i PD-së së Tiranës, anëtar i Kuvendit, sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në PD, anëtar i Kryesisë së PD-së. Një ditë prej ditësh e ndjeva dhe vetë, sidomos pas ngjarjeve ’97-’98, krizës kosovare, e ndjeva edhe vetë që kisha një farë konsumi dhe duhet të tërhiqesha për një farë kohe. Edhe vetë elektorati ka nevojë që të mos shohë të njëjtat fytyra vazhdimisht. U bë që nga viti 2000, kam nëntë vjet larg politikës. Nëse quhet rifutje në politikë, unë jam anëtar i PD-së. Kam ndërmend të jem dikush, të paktën në PD-në e Tiranës. Ajo që mund të pretendoj unë është të jem një anëtar i kryesisë së PD-së të Tiranës, apo anëtar i Këshillit bashkiak. Kam një farë roli opozitar ndoshta edhe në këshillin bashkiak për të dhënë eksperiencën time, por edhe në PD-në e Tiranës për të dhënë ndihmën time, sepse e kam drejtuar edhe më parë atë. Nuk mund të pretendoj më shumë, as të jem në listat për deputet, sepse nuk kam dhënë kontributin e duhur në këto vite, kur ka të tjerë që e kanë dhënë një gjë të tillë. Nuk pretendoj të kandidoj për kryetar të PD-së për Tiranën, kjo për të njëjtën arsye, por kjo nuk do të thotë që mund të rrijë inaktiv. Synimet e mia kryesore janë për të qenë në një nivel të dytë dhe vetëm kaq. Nëse do ketë nevojë PD-ja jam i gatshëm.
Aktualisht, si e shihni betejën për kreun e PD-së së Tiranës? Cili është mendimi juaj për kandidaturat e hedhura?
Më vjen mirë se ka shumë kandidatura për postin e PD-së së kryeqytetit. Edhe nëse nxirret se ka shumë kandidatura dhe duhen shkurtuar dhe ulur numri i tyre, argumenti i vetëm do të jetë çështja e organizimit. Unë mendoj se, mënyra se si do të zgjidhet kreu i PD-së së Tiranës, pra nëpërmjet konferencës së Tiranës, të paktën kështu jam zgjedhur unë, është në gjendje që të administrohet një sallë kongresi me 600 vetë dhe të numërohen votat edhe për gjashtë apo dy kandidatura. Për mendimin tim kufizimi i numrit të kandidaturave nuk duhet bërë, duhen lënë të lira, në përputhje me statutin. Vetë Kryesia duhet t’i lërë mundësi që të kandidojë çdo njeri dhe të shpalosin hapur alternativat e tyre. Dhe jo vetëm kaq, por t’i krijojë edhe shanse të barabarta që të konkurrojnë. Nuk më ka ardhur mirë mënyra se si janë paraqitur kandidaturat. Ata duhet të paraqiten në mënyrë të barabartë, Kryesia nuk duhet të mbështesë asnjërën kandidaturë, por t’i vlerësojë gjithë njësoj.
Po për kandidaturat e shpallura...?
I kam vlerësuar të gjitha kandidaturat dhe kam një mendim pozitiv. Nuk mund të mohoj karrierën e zotit Besnik Mustafaj, qoftë si ministër i Jashtëm, apo si ambasador i yni në Francë, i cili ka dhënë për Shqipërinë. S’mund t’i heq meritën që është një nga themeluesit e PD-së dhe kontribuuesit kryesorë të demokracisë për Shqipërinë. Ashtu sikur s’mund t’i heq meritën as zotit Bumçi apo zotit Bojaxhi, që megjithëse kanë ardhur vonë nga shoqëria civile kanë kontribuar qoftë në poste drejtuese, si drejtues të aftë të administratës, si dhe me politikën e tyre brenda PD-së. Edhe unë nuk mund të bëj një gabim, që të mbaj anën e njërit apo tjetrit, i shoh si alternativa të barabarta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›