Shamku: “Reformat e Ministrisë së Arsimit, të dështuara dhe të dëmshme”
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Ledi Shamku, ka vijuar kritikat e saj në drejtim të Ministrisë së Arsimit për politikat e dështuara që po ndjek në këtë fushë. Shamku i ka quajtur këto reforma joprofesionale dhe të dështuara që në gjenezën e tyre.
“Arsimi shqiptar zor se ka njohur ditë më të keqe se tash dhe nuk është kthyer kurrë më shumë se sot në vegël të një politike të ditës, pa plan e pa të ardhme. Shpallen si reforma disa veprime që në fakt s’janë veçse fermanë, e që në ngutin e tyre për të korrur suksese ‘të papara’ politike, po dëmtojnë rëndë ecurinë e edukimit breznor. U shpall fill ‘liberalizimi i universiteteve’ dhe u pa si po shndërrohen ato veç në serbatore studentësh; u shpall fill e ashtuquajtura reformë e ‘Altertekstit’ dhe fëmijët tanë po rropaten të deshifrojnë grumbuj informacionesh që rezultojnë të pavlera. Befas, e me ferman, u vendos kalimi i arsimit të detyrueshëm nga 8 në 9-vjeçar. Asnjë planifikim teknik nuk i parapriu kësaj “reforme” dhe tash sharra ka hasur në gozhdë. Opinioni pyet se ç’do të bëhet sivjet me mbetësit e vitit të parë të shkollave të mesme?” - tha Shamku.
6 Mars 2008