E Diel, 1 Nëntor 2026

Procedurat, në fillim të paguhen gjobat dhe interesat pastaj taksat

Ndryshohen procedurat tatimore, marrëdhënie e re shtet-biznes. Detyrimet e reja për regjistrimin, deklaratat e reja dhe kamatëvonesat
Erald Kapri

Këshilli i Ministrave miratoi dje procedurat e reja tatimore, të cilat vendosin një marrëdhënie të re shtet-biznes. Procedurat e reja sanksionojnë një sërë procedurash që duhet të ndjekë biznesi që nga të drejtat e tij e deri te mënyra e pagimit të taksave, detyrimeve, gjobave, interesave etj. Shlyerja e detyrimeve do të ketë një tjetër praktikë nga ajo që është ndjekur deri sot nga bizneset. Radha e shlyerjes së detyrimeve tatimore është përcaktuar, sipas Ministrisë së Financave, sipas praktikave të vendeve të BE-së, por kjo dispozitë shtrëngon rripin e bizneseve. Dispozita sanksionon se çdo biznes fillimisht do të paguajë më parë interesat, më pas do të paguajë gjobat dhe në fund do të ketë mundësi të shlyejë detyrimet e papaguara. Sipas projektvendimit, kjo gjë do t’i japë mundësi administratës tatimore që të vazhdojë të mbledhë interesat dhe gjobat për detyrimet e papaguara. Në rast se biznesi nuk i paguan, atëherë në bazë të ligjit të falimentit, koha do të jetë deri në dy vite, ndryshe biznesi mbyllet me vendim gjykate. Tatimpaguesit kanë të drejtën të marrin asistencë nga Tatimet lidhur me situatën e tyre tatimore, për tatimet, interesat dhe gjobat që detyrohen, si dhe për pagesat e tjera.
Deklaratat tatimore
Tatimpaguesit do të kenë mundësi të paguajnë tatimet e tyre on-line nëpërmjet internetit dhe njëkohësisht të kontrollojnë situatën e tyre tatimore. Njëkohësisht, tatimpaguesit do të mund të deklarojnë qoftë me internet, qoftë me postë, duke bërë që të shmanget kontakti me burokratin. Gjithashtu jepet opsioni për të ndryshuar afatin e dorëzimit brenda 30 ditëve, por kjo gjë nuk e çliron tatimpaguesin nga detyrimi për të paguar tatimet në kohë. Ndryshimi i afatit të dorëzimit të deklaratës tatimore dhe pagesës së detyrimit tatimor në ditën e punës që vjen më pas, kur ky afat bie në një ditë pushimi, është një ndryshim i rëndësishëm i këtij kapitulli.
Vlerësimi tatimor
Vlerësimi tatimor përbëhet nga detyrimi dhe njoftimi tatimor si dhe kërkesa për pagesë të detyrimit tatimor. Ekzistojnë tri mënyra për të bërë një vlerësim. Së pari, nëpërmjet dorëzimit të deklaratës tatimore dhe pagesës së detyrimit tatimor. Së dyti, nëpërmjet një kontrolli financiar dhe, së treti, nëpërmjet metodave alternative të vlerësimit. Tatimpaguesi ka barrën që të provojë që një vlerësim i bërë nga administrata tatimore nuk ka qenë i saktë, ndërsa tatimet nga ana e tyre kanë detyrimin që të njoftojnë tatimpaguesin për vlerësimin e ri. Një vlerësim nuk do të ketë një efekt derisa të jetë regjistruar në dosjen e tatimpaguesit. Kjo siguron që të gjitha vlerësimet të jenë transparente dhe të disponueshme për tatimpaguesit. Ky ligj përcakton autoritetin ligjor për të bërë vlerësime duke përdorur metodat alternative për rastet kur tatimpaguesi nuk përmbush detyrimet e tij tatimore, kryen transaksione me persona të lidhur, jo mbi bazën e parimit të vlerës së tregut ose të përfshihet në transaksione që kanë si qëllim pakësimin apo shmangien e detyrimit tatimor. Ky i fundit është përkufizuar si një transaksion që nuk ka efekte thelbësore ekonomike. Metodat alternative të vlerësimit njihen gjerësisht në shumicën e sistemeve tatimore, por aktet nënligjore duhet të përcaktojnë rregulla mjaft specifike dhe strikte për të kufizuar abuzime me këtë mjet të fuqishëm. Në përgjithësi, e drejta e tatimeve për të bërë një vlerësim parashkruhet brenda 6 vjetëve nga dita e fundit e dorëzimit të deklaratës.

Pagesat dhe rimbursimet do të jenë automatike dhe me këste

Ligji parashikon një rimbursim automatik. Ligji parashikon që shuma e detyrimeve tatimore e paguar më tepër do të kalojë automatikisht për shlyerjen e detyrimeve të ardhshme të tatimpaguesve qoftë për atë lloj detyrimi ose për çdo detyrim tjetër tatimor të tij. Shuma e detyrimit tatimor e paguar më tepër kalon fillimisht për llogari të çdo detyrimi tatimor të papaguar. Çdo shumë e mbetur, me pëlqim të tatimpaguesit mund të kalohet për llogari të detyrimeve të ardhshme tatimore të tatimpaguesit ose t’i rimbursohet atij në bazë të një kërkese me shkrim. Tatimpaguesit që nuk janë në gjendje të paguajnë plotësisht detyrimet e tyre tatimore në afatin e caktuar mund të kërkojnë të lidhin marrëveshje pagese me këste. Marrëveshja e pagesës me këste nuk mund të zgjasë më shumë se një vit dhe interesi duhet të paguhet për shumën e detyrimeve tatimore për të cilat shlyhet pagesa.

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›