Shanset, Obama dhe Mekein për Presidencën
Ndërkohë që demokratët e kanë nisur tashmë kandidatin e tyre, Barak Obama, për në Shtëpinë e Bardhë, republikanët dhe kandidati i tyre, Xhon Mekein, po përgatiten për kuvendin e partisë, që fillon të hënën në Mineapolis-St. Pol të Minesotës. Demokratët e bënë Senatorin Obama epiqendrën e Kuvendit të tyre këtë janë në Denver, dhe nuk është aspak e papritur që republikanët të bëjnë të njëjtën gjë në kuvendin e partisë së tyre javën e ardhshme.
Pasi të përfundojnë të gjitha fjalimet në kuvende dhe sulmet politike, pasi të lëshohen tullumbacet dhe të dëgjohen të ftuarit e famshëm, zgjedhjet presidenciale do të konvergjojnë në një zgjedhje të thjeshtë, kush do të jetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara, demokrati Barak Obama, apo republikani, Xhon Mekein.
Analisti politik, Stjuart Rothenberg, ka ndjekur kuvendin e demokratëve në Denver këtë javë dhe i hedh një vështrim fushatës zgjedhore mes kandidatëve të të dyja partive që fillon pas kuvendit të Partisë Republikane.
"Për mendimin tim zgjedhjet do të vazhdojnë rreth Barak Obama. Dëshira për ndryshime në vend është e fuqishme, dhe në qoftë se Senatori Obama mund t'i bindë amerikanët, shumicën e amerikanëve, se ai do të jetë një udhëheqës i mençur, sensibël dhe i besueshëm, ata do të japin atij shansin për të udhëhequr. Deri tani nuk duket se ai ia ka arritur këtij qëllimi".
Edhe në Denver, republikanët bënë çfarë mundën për të hedhur dyshime mbi përvojën politike të Senatorit Obama, mbi aftësinë e tij për të udhëhequr vendin dhe mbi përgatitjen e tij për të qenë Komandant i Përgjithshëm.
Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, humbi në zgjedhjet paraprake ndaj Xhon Mekeinit, por tani ai e mbështet atë fuqimisht dhe kritikon Obamën vazhdimisht.
"Mendoj se Senatori Mekein do të na mbajë në vijën e parë të frontit kundër terrorizmit dhe kështu do të na mbrojë, ndërsa Senatori Obama do të na vërë në pozita mbrojtëse dhe kjo nuk do të jetë një strategji e mirë për sigurimin e vendit. Senatorit Obama i mungojnë njohuritë në politikën e jashtme dhe ky është një shqetësim serioz".
Demokratët e kanë shumë të qartë se Obama nuk ka përvojë në politikën e jashtme dhe në çështjet e sigurimit kombëtar. Ish-presidenti Bill Klinton u kujtoi demokratëve se sulmet e republikanëve kundër Senatorit Obama kanë një tingëllim të njohur për ta.
"Ne fituan ndaj një fushate të ashpër gjatë të cilës republikanët thanë se unë isha shumë i ri dhe pa përvojë për të qenë Komandant i Përgjithshëm. E njëjta gjë dëgjohet edhe sot. Por ajo nuk tha rezultat në vitin 1992, sepse ne ishim në një rrugë të drejtë historike, ajo nuk do të japë rezultat në 2008, sepse Barak Obama po ndjek rrugën e drejtë në histori".
Analisti politik, Stjuart Rothenberg, parashikon një javë sulmesh kundër Obamës gjatë kuvendit të Partisë Republikane në Mineapolis-St. Pol.
"Por njerëzit e Mekeinit kanë qenë shumë agresivë për ta ndryshuar këtë, duke i vënë theksin mungesës së përvojës së Senatorit Obama. Mendoj se ata do të vazhdojnë më agresivitetin e tyre. Fakti është se gara është e ngushtë dhe Xhon Mekeini mund të fitojë, por Barak Obama ka një farë avantazhi. Prandaj, Mekeinit i duhet të vazhdojë sulmet ndaj Obamës". Shumica e ekspertëve janë të mendimit se ekonomia do të jetë çështja kryesore në fushatën zgjedhore të këtij viti dhe për momentin ata e shikojnë Obamën dhe demokratët në avantazh.
Anketat e kohëve të fundit tregojnë se Senatori Obama dhe Senatori Mekein janë në një garë të ngushtë për Shtëpinë e Bardhë, tani që kanë mbetur vetëm 10 javë nga zgjedhjet e përgjithshme më 4 nëntor.
E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Rusi
Nën presidenti amerikan Dick Cheney shkon javën tjetër në Gjeorgji dhe në dy ish republika të tjera sovjetike. Shtëpia e Bardhë e quan këtë vizitë si një gjest të vendosmërisë së Washingtonit për të mbështetur aleatët e tij. Vizita e nënpresidentit bëhet pas sulmit ushtarak rus ndaj Gjeorgjisë dhe problemeve të reja që kanë dalë pas tij në maredhëniet me Moskën.
Pushtimi ushtarak rus i rajoneve separatiste të Gjeorgjisë vazhdon të ketë pasoja gjeopolitike. Edhe pse Rusia ka tërhequr shumicën e trupave, sulmi ushtarak ka ngritur shqetësime në shumë qarqe botërore. Në një forum të organizuar para pak ditësh nga fondacioni Heritage, eksperti për Rusinë Ariel Cohen, i përshkroi kështu pasojat e këtij sulmi.
" Jemi në fazat e para të një rikonfigurimi të madh në mardhëniet ndërkombëtare ku lufta në Kaukaz është vetëm tërmeti i parë në lëvizjet e mëdha tektonike në Euroazinë perëndimore."
Sulmi i Rusisë duket se nuk kishte objektiv vetëm marrjen e rajoneve separatiste por edhe destabilizimin e presidentit gjeorgjian Mikail Sakashvili dhe qeverisë së tij properëndimore. Kjo ka ngritur shumë shqetësime në vende të tjera të Evropës Lindore sidomos në Ukrainë. Në një artikull të botuar në gazetën Washington Post, Presidenti properëndimor i këtij vendi, Viktor Jushçenko e quajti Ukrainën, peng të luftës së udhëhequr nga Rusia. Analistë si Stephen Blank i Kolegjit amerikan ushtarak të luftës i japin një pamje edhe më të errët të këtij konflikti.
"Objektivi i dytë do të jetë Ukraina dhe pastaj Azerbajxhani. Azerbajxhani do të vihet nën presion të madh për të shkëputur lidhjet me perëndimin dhe të vendosë lidhje më të forta për burime të energjisë me Rusinë. Por Ukraina është më e rrezikuar në disa aspekte."
Ukraina e cila para disa ditësh festoi ditën e pavarësisë, ka një pakicë të madhe rusfolëse. Shumë rusë jetojnë në gadishullin strategjik të Krimesë gjë që ka ngritur shqetësime tek ukrainasit se Rusia do të mundohet të gjejë një mënyrë për ta marrë atë në mënyrë që të sigurojë dalje në Detin e Zi për flotën e vet detare.
Anxhela Stent drejton qendrën për studime Euroaziatike, Ruse dhe Evropiane në universitetin Georgetown.
"A do ta injorojnë rusët tani marrëveshjen e vitit 1997 me Ukrainën e cila respektonte kuftijt e njëri tjetrit dhe rregullonte flotën detare në Detin e Zi, dhe të thonë se kjo marrëveshje duhet të rishikohet. Kjo sipas Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Evropës Perendimore është shumë shqetësuese."
Vendimi i Rusisë për të njohur rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkazisë acaroi edhe më tej marëdhëniet me perëndimin. Presidenti Bush, i cili dikur thoshte se ka marëdhënie shoqërore me Vladimir Putinin ka deklaruar se Osetia Jugore dhe Abkazia janë pjesë e Gjeorgjisë. Disa ekspertët janë të shqetësuar se sulmi rus ndaj Gjeorgjisë do të çojë drejt një periudhe konflikti ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo sipas profesores Stent nuk e shqetëson shumë Rusinë sepse ajo ka objektiva tjera.
" Mendoj se strategjia ruse tani është që të paraqesë Rusinë si një superfuqi alternative ndaj Shteteve të Bashkuara. Dhe t'u thonë vendeve të botës se " ne besojmë në demokraci sovrane, dhe nuk do t'ju tregojmë ju se çfarë qeverisjeje duhet të keni në vendet tuaja." Një gjë të tillë po e shohim të ndodhë tani."
Një Rusi e ringjallur e cila kundërshton hapur Shtetet e Bashkuara. Ky është një skenar me të cilin do të ketë të bëjë cilido që do zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara.
VOA