E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pritje të muajit të madhërishëm të ramazanit

Mbyllet seminari 3-ditor “Agjërimi, parimet dhe dispozitat”. Ditën e djeshme në sallën e Muzeut Historik Kombëtar është mbyllur seminari treditor me temë “Agjërimi, parimet dhe dispozitat”. Ai është organizuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman Shqiptar (Myftininë e Tiranës). Seminari pati pjesëmarrje të gjerë besimtarësh, intelektualësh, përfaqësuesish të komuniteteve fetare në vend dhe përfaqësues të medias.

Pjesëmarrje e niveleve intelektuale, por edhe të rinj

Ky seminar shërbeu për të informuar opinionin publik mbi vlerat e mirëfillta të agjërimit si ritual islam i rëndësishëm dhe njëkohësisht, për të sjellë një vizion të qartë rreth saktësisë dhe vlefshmërisë së agjërimit në planin individual dhe shoqëror. Është e hera e parë në Shqipëri që organizohet një seminar i përmasave të tilla në pritje të Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, i cili pritet të fillojë në datën 1 shtator 2008.

Në seminar ligjëruan teologë të njohur si: Saimir Rusheku, Ahmed Kalaja dhe Sabaudin Jashari. Ata trajtuan temat e mëposhtme: “Detyrat e myslimanit në vigjilje të Muajit të Ramazanit vlerat e agjërimit”, “Dispozita të përgjithshme të agjërimit” dhe “Dispozita që e çlirojnë besimtarin nga agjërimi”. Në seminar përshëndetën kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Ing. H. Selim Muça, në emër të drejtorit të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Dr. Ramiz Zekaj përshëndeti zv.drejtori AIITC-së Bedri Telegrafi etj. Ndërkohë që në diskutimet e seminarit u kyçen shumë nga intelektualët pjesëmarrës dhe studiues të ndryshëm, midis të cilëve studiuesi Ibrahim D. Hoxha etj. Një diskutim interesant dhe shkencor ishte ai i mbajtur nga Dr. Ibrahim Gashi mbi përcaktimin e festave fetare islame, duke përdorur dhe njohur mirë kalendarin hënor. Kjo temë, ashtu si edhe shumë të tjera ngjalli kureshtjen e auditorit, që doli në pah, nëpërmjet pyetje të shumta të drejtuara prej tyre.

Ecuria e seminarit:

Në ditën e parë, seminari u fokusua mbi vlerat shumëdimensionale që sjell agjërimi në Muajin e Ramazanit. Rituali i hershëm islam, i thërret besimtarët kah virtytit, bamirësisë dhe ndërgjegjësimit për rolin që ka çdo individ në shoqëri, - përmendi teologu Rusheku.

Në ditën e dytë, teologu Kalaja shtjelloi principet dhe dispozitat që konturojnë këtë rit të besimit islam. Edhe pse në pamje të parë, agjërimi ngre shumë pyetje në mendjen e besimtarit, si: “Pse duhet të agjërojmë?”, “Si duhet të agjërojmë?”, “Kujt duhet t’ia kushtojmë agjërimin tonë?”, “Pse myslimani agjëron nga agimi deri në mbrëmje?”, të cilat gjetën përgjigje shteruese nga teologu, i cili në shumicën e herëve i referohej Kuranit dhe Traditës Profetike, që janë kriter bazë në fushën e jurisprudencës islame. Në ditën e tretë, teologu Sabahudin Jashari në trajtimin e temës së tij, u përqendrua fillimisht mbi urtësinë e agjërimit dhe urdhrave fetare lidhur me të. Në vazhdim ai shtjelloi ato raste të cilat lejojnë agjërimin ose jo nga besimtari. Ai i radhiti ato sipas një rendi bazuar mbi vështirësinë e sëmundjes dhe karakterin e saj kronik.

Një seminar i pëlqyer nga të gjithë

Në fund të seminarit u shpreh dëshira që ky aktivitet, t’i ketë shërbyer qëllimit, duke i pajisur besimtarët me dije e njohuri të domosdoshme për këdo të interesuar. Duke qenë se dukuria e agjërimit ka një traditë të konsoliduar në shekuj tek gjithë bota myslimane, seminar ishte një përpjekje e prekshme dhe me dobi. Përvoja e këtij seminari do të shërbejë në të ardhmen për organizimin më të mirë të aktiviteteve të posaçme për agjërimin, sidomos kur në këtë veprimtari ai u trajtua në planin historik, shoqëror, psikologjik, kulturor etj. Seminari tërhoqi vëmendjen mediatike dhe u monitorua nga shumica e mediave kryesore të vendit. Seminari i ditës së parë u mbyll në një frymë shpresëdhënëse se edhe në ditët në vazhdim diskutimet në sallë do të tërhiqnin vëmendjen e besimtarëve në këtë muaj të Madhërishëm. Në fund të takimit pjesëmarrësve iu shpërndanë libra nga botimet më të fundit të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›