Vllaznia largon Likën, trajneri i ri, Roland Luçi
Hasan Lika nuk do të jetë më trajneri i Vllaznisë. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht dje nga klubi shkodran. Në të njëjtën kohë, trajneri i ri i Vllaznisë do të jetë ish-futbollisti shkodran, Roland Luçi, i cili prej kohësh jeton në Austri. Kështu, kur pritej që çdo gjë të zbardhej pas takimit të fundjavës me Flamurtarin, drejtuesit e kuqebluve kanë bërë lëvizjen e parë në pankinë, për këtë fillimsezoni. Skuadra shkodrane ka hedhur hapin e parë për situatën e saj të rënduar, duke zgjidhur kontratën me trajnerin Lika. Krerët e Vllaznisë kanë bërë të ditur se, nisur nga situata aktuale, e cila është ndër më të vështirat në këto sezonet e fundit, me mirëkuptimin mes dy palëve është rënë dakord që Lika të largohet. Trajneri tiranas, ditën e hënë pati një reagim të ashpër për mediat, duke u mbrojtur me faktin se nuk është ai shkaktari kryesor i kësaj gjendjeje. Reagim, i cili indirekt ka “thumbuar” edhe krerët e klubit, për një merkato jo efikase. Hasan Lika e mori drejtimin e kuqebluve në qershor të këtij viti, duke i drejtuar ata në dy turet e Ligës Evropiane, por edhe në pesë ndeshjet e para të këtij kampionati.
Trajneri i ri
Menjëherë pas largimit të Likës, presidenca e Vllaznisë ka nisur bisedimet me ish-futbollistin e këtij ekipi, në vitet ‘80-të, Roland Luçi, i cili prej vitesh jeton në Austri. Ai pritet që të mbërrijë të mërkurën në Shkodër, ku do të bisedojë më konkretisht me krerët e kuqeblutë dhe duket se palët, parimisht janë fare pranë arritjes së akordit të bashkëpunimit mes tyre. Luçi, gjatë kohës që ka luajtur si lojtar, ka qenë një sulmues i mirëfilltë. Për arsye të ndryshme ai është tërhequr nga futbolli në moshën 27-vjeçare. Është licencuar ndërkohë si trajner në Austri, ndonëse ende nuk e ka ushtruar këtë profesion, në asnjë ekip moshash apo të rriturish. Gjithsesi, duhet pritur takimi mes Luçit dhe presidentit Fushaj për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje.