PS-PD bashkojnë votat për sigurimin e ri të depozitave
Rritet kufiri i sigurimit të depozitave në banka. Komisioni i Ekonomisë ka miratuar dje ligjin sipas të cilit, në rast falimenti të bankës, klientët kompensohet në masën 2.5 milionë lekë. Kjo shumë është e vlefshme edhe për depozitat në valutë. Me këtë ligj garantohen 100 për qind e kursimeve. Në projektin e miratuar nga Komisioni i Ekonomisë theksohet se “Agjencia kompenson depozitën e siguruar në masën 100 për qind, por jo më shumë se 2.5 milionë lekë. Kompensimi i depozitave fillon menjëherë pasi Agjencia njoftohet me shkrim për ndërhyrjen apo likuidimin vullnetar të bankës”. Ndërkohë, janë parashikuar dhe afatet e kompensimit të plotë të shumave, duke mos lejuar shtyrjen e këtij procesi në një afat të tejzgjatur. Në projektligjin e qeverisë ishte parashikuar në skemën e sigurimit të futeshin edhe shoqëritë e kursim kreditit. Por komisioni me shumicë votash nga të djathtët, e ka rrëzuar këtë pikë edhe me propozim të Bankës së Shqipërisë. Të vetmit deputetë në komision që ishin pro variantit të plotë të qeverisë kanë qenë deputeti demokrat Leskaj dhe ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj. Deri tani niveli që merrnin përsipër bankat të paguanin në rast falimentimi ishte shuma prej 700 mijë lekësh, ndërkohë që me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, bankat dhe qeveria do të garantojnë deri në 2.5 milionë lekë. Sipas të dhënave më të fundit, gati 50 për qind e depozitave të individëve janë nën vlerën e 2.5 milionë lekëve, ndërkohë që si numër zotëruesit e këtyre depozitave përbëjnë rreth 96 për qind të numrit të depozituesve individë. Skema e kompensimit aktual nuk është rishikuar që prej krijimit të saj në vitin 2002 dhe nisur nga kjo strukturë depozitash, qeveria e pa si të domosdoshme që të rishikohej skema e sigurimit të depozitave, me qëllim mbulimin e një pjese domethënëse të vlerës së depozitave.