Avokatët kryesisht nisin bojkotimin e gjyqeve derisa të marrin pagesat
Laureta Rryçi
Avokatët kryesisht nga dita e djeshme kanë nisur bojkotimin e proceseve. Ata kanë sqaruar se nuk kanë ndër mend të jenë pjesë e proceseve që u janë caktuar derisa institucionet të shlyejnë detyrimet që kanë ndaj tyre. Sipas avokatëve kryesisht, ata kanë muaj të tërë që nuk kanë marrë pagesën për të gjitha proceset që kanë asistuar. Avokatët kryesisht paguhen nga shteti për të gjithë ata të pandehur që nuk kanë mundësi të mbulojnë shpenzimet duke kontaktuar vetë një avokat. Shkak është bërë mospagesa e tyre prej gjashtë muajsh, ndonëse i janë përgjigjur gjykatës sa herë që ka pasur nevojë për ta në procese të ndryshme gjyqësore. Të papaguar si duhet për punën e bërë, prej shtatë muajsh ata nuk marrin as atë shumë simbolike që gjykatat u detyrohen. Bojkoti i seancave nga kjo kastë avokatësh që paguhen për seancë dhe jo nga klientë, pritet të sjellë probleme në seksionet penale, pasi mungesa e tyre do të sillte një çoroditje për gjyqtarët dhe shtyrje seancash për pamundësi të caktimit të avokatëve kryesisht. Në total, numri i seancave që këta avokatë zhvillojnë muaj është i madh dhe shuma që u detyrohet këtyre avokatëve ZABGJ është e konsiderueshme. Por, ZABGJ është shprehur se nuk ka fonde ndaj dhe avokatët nuk po paguhen për seancat ku kanë marrë pjesë. Për këtë problem shprehen edhe vetë gjyqtarët e seksioneve penale, duke shtuar se “pagesa duhet të bëhet menjëherë dhe të mos shtyhet, pas bojkoti i avokatëve kryesisht bëhet pengesë për ecurinë e mjaft proceseve gjyqësore”.
Problemi
Sipas të dhënave, vetëm pak kohë më parë, Shoqata e Avokatëve Penalë është mbledhur duke diskutuar në lidhje me përmirësimin e kushteve të punës. Një nga çështjet kryesore dhe më të rëndësishme që është diskutuar në këtë mbledhje ka qenë ajo e pagesës për çështjet kryesisht (kur avokatët paguhen nga shteti për të përfaqësuar mbrojtjen e të arrestuarve, të cilët nuk marrin avokat personal). Avokatët penalë kanë treguar se pavarësisht se kanë përfaqësuar shumë klientë për çështje kryesisht, sërish ata nuk janë paguar. Këto pagesa nuk janë bërë që nga muaji shtator i vitit 2009 e deri në ditët e sotme. Në këto kushte, Shoqata ka vendosur të ngrejë zërin dhe të kërkojë që në një kohë të shkurtër të bëhet pagesa e tyre. Dëmi total i shkaktuar ndaj avokatëve që nga shtatori deri tani përllogaritet në miliona lekë, ndërkohë që ata duhet të paguhen nga buxheti gjyqësor.
Ligji
Sipas ligjit, qytetarëve që kanë probleme me drejtësinë, por nuk kanë mundësi financiare të marrin një avokat, u vjen në ndihmë shteti duke u garantuar një mbrojtje ligjore. Tarifat përcaktojnë se sa paguhen avokatët kur marrin një dosje qoftë në themel, ashtu edhe për të qenë vetëm në një masë sigurie. Tarifat ndryshojnë në varësi të mbrojtjes ligjore që jepet sipas Gjykatës ku ndodhet dosja. Ato vijnë duke u rritur nëse dosja gjykohet në Gjykatën e Lartë apo atë Kushtetuese. Më shumë, këto shërbime konkretizohen në masat e sigurisë, ku janë më të shumta kërkesat e të pandehurve që kërkojnë një mbrojtje kryesisht. Një procedurë e tillë ndiqet edhe në gjykatat e tjera, por për shkak të natyrës së punës numri i këtyre avokatëve është më i vogël. Sipas statistikave të Gjykatës së Faktit të Tiranës, një përqindje e konsiderueshme e të arrestuarve detyrohen të zgjedhin avokat kryesisht. Një pjesë e bën këtë zgjedhje për arsye të vështira ekonomike dhe pjesa tjetër për shkak të krimit që mund të ketë kryer duke mos u kujdesur për të asnjë nga të afërmit. Kjo e fundit ka të bëjë me të gjitha ato raste kur kemi të bëjmë me krim brenda familjes.
26 Mars 2010