Shantazh me foto nudo të moshuarit, dënohen dy gjobëvënësit e Vlorës
TIRANE - "Kërcënimi" se do t'i publikonin fotot provokuese një 74-vjeçari mund t'u kushtojë disa vite burg dy personave që po gjykohen tek Krimet e Rënda. Prokuroria për Krimet e Rënda paraqiti dje konkluzionet përfundimtare për të pandehurit Genci Kajtalli dhe Florika H., të akuzuar për "shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", në bashkëpunim, si edhe "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike". Para gjykatës, përfaqësuesi i akuzës kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin me 3 vjet burg për të pandehurin Genci Kajtalli, si edhe 2 vjet burg për të pandehurën Florika H. Përveç burgut, akuza kërkoi edhe gjobitjen e tyre me nga 600 mijë lekë gjobë. Sipas prokurorisë, ngjarja e shënuar në nëntor 2009, për të cilën akuzohen të pandehurit Kajtalli dhe Florika H., ka pasur për protagonist të moshuarin N.L. Po sipas akuzës, ngjarja ka ndodhur për shkak të një borxhi të papaguar që Florika H. i kishte 74-vjeçarit. Kur ka shkuar për të kërkuar borxhin, i moshuari është marrë me forcë nga disa persona, është zhveshur dhe është fotografuar teksa pranë i rrinte edhe e pandehura, e veshur veç me të brendshme. Më pas, sipas prokurorisë, duke e kërcënuar se do t'i dërgonin fotot "e nxehta" familjes së tij, i moshuari është detyruar të nënshkruajë një akt ku deklaronte se i kishte borxh shtetasit Genci Kajtalli shumën prej 1 000 000 lekësh. Aty përcaktohej edhe dita e dorëzimit të parave. Po sipas prokurorisë, takimi nuk u realizua, pasi Genci Kajtalli kishte vënë re praninë e forcave të policisë.                  ar.ba